Tiranë, gjatë javës flitet për hapjen e dosjeve të Sigurimit

Shqipëria

Tiranë, gjatë javës flitet për hapjen e dosjeve të Sigurimit

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 07:50
ilustrim

Nën moton “Kujtesa si mision“, përgjatë një jave, mbi 60 ekspertë nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë, Lituanisë, Bosnje/Hercegovinës dhe Kosovës do të diskutojnë në Shqipëri mbi perspektivat aktuale të rishikimit të historisë dhe të diktaturës komuniste. Në fokus të veçantë do të jetë kurrikula shkollore dhe zhvillimi i saj në vendet postkomuniste pas 1990-ës. Ekspertë nga Evropa Qendrore dhe Lindore do të sjellin përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë, dhe do të ballafaqohen me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri.

Zhvillimet më të fundit në kurrikul do të prezantohen nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, nga përfaqësues të IZHA, pa munguar edhe ndërhyrja e grupeve të interesit, historianë, përfaqësues të Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutit për Integrimin e ish të Përndjekurve Politikë etj.   Iniciativa Ditët e Kujtesës është organizuar nga Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe do të zgjatë deri më 28 tetor.  Kjo inciativë, sipas një njoftimi të organizatorëve synon gjithashtu të ndërtojë një agjendë të përbashkët me aktorët e ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës.

“Për këtë arsye, rreth 25 iniciativa, institucione private dhe shtetërore brenda dhe jashtë vendit do të evidentojnë para një publiku të gjerë punën dhe projektet e tyre në këtë fushë. Ballafaqimi me të shkuarën do të kulmojë me aktivitetin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, një proces i vonuar që ka pasoja për të ardhmen. Përveç përfaqësuesve shqiptarë do të ofrojnë ekspertizën e tyre ish-komisionerja për dosjet e STASI-it, Hildigund Neubert, si dhe specialistë të tjerë gjermanë. Surpriza e këtij aktiviteti është përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup, mbi tema të ndryshme si përditshmëria para 1990-ës, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj. Në kuadër të këtij aktiviteti do të shpallen dhe fituesit e konkursit kombëtar “Pyet gjyshërit“ për punimet më të mira në fushën e Multimediaës”, thuhet në njoftim.

  Si aktivitete kulturore vlen të përmendet premierën e dokumentarit “Fëmijët e diktaturës“ me regji nga Besnik Bisha, një prodhim i IDMC. Po ashtu dhe ekspozitat me akses të lirë “Lufta e Ftohtë: Shkaqet, historiku, Pasojat“ në bashkëpunim me Fondacionin Federal për Studimin e Krimeve te Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore; “Muzeu i Kujtesës“ një projekt lëvizës i Institutit të Studimeve Politike si dhe miniekspozita e fotografit të njohur Antonio Fantasia “A night of a Regime“.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat