Klosi prezanton skemën e ndihmës ekonomike, ja kushtet e reja

Shqipëria

Klosi prezanton skemën e ndihmës ekonomike, ja kushtet e reja

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 14:56
Blendi Klosi

Me kryetarët e Bashkive dhe prefektët e qarqeve të Veriut, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi prezantoi skemën e re të ndihmës ekonomike që do të nisë të aplikohet në të gjithë vendin.

“Veçanërisht për qarqet e veriut, ku janë rreth 39 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, skema e re e ndihmës ekonomike do të zgjidhë një sërë problematikash të deritanishme të skemës së vjetër”, deklaroi ministri Klosi.

Së pari, sipas tij, formula e pikëzuar do të targetojë më mirë familjet e varfra, do të heqë nga skema familjet apo individët që e përfitojnë në mënyrë të padrejtë, duke qenë jashtë Shqipërisë apo të zhvendosur në zona të tjera ku mund të kenë edhe bisnese, por figurojnë ende në gjendjen civile si të banorë të zonave të veriut.

“Për 39 mijë përfitues të ndihmës ekonomike në veri të vendit- deklaroi ministri Klosi,- nuk do të ketë më ndihmë ekonomike të pjesshme siç ka qenë deri tani, ku një pjesë e përfituesve merrnin edhe deri në 8 mijë lekë të vjetra në muaj”.

“Ndihma ekonomike për këto familje do të jetë e plotë. Formula e pikëzuar do të zgjidhë veçanërisht për zonat e veriut, edhe një tjetër problematikë të skemës së vjetër, atë të kritereve përjashtuese. Ndër këto kritere ka qenë edhe pronësia e tokës, pa marrë parasysh nëse toka ishte prodhuese apo jo. Skema e re e ndihmës ekonomike eliminon kriteret përjashtuese ndër to edhe tokën. Secili mund të aplikojë dhe përfituesit e ndihmës ekonomike të rritur, do të jenë të gjithë ata që e meritojnë”, theksoi Klosi.

Ministri Klosi kërkoi nga drejtuesit lokalë, të ndihmojnë aplikuesit në plotësimin e formularit të indikatorëve, t’ju shpjegojnë atyre mirë sesi bëhet ky proces.

“Suksesi i aplikimit të skemës së re- tha ministri Klosi – varet nga administratorët lokalë, të cilët duhet të nisin që tani komunikimin me qytetarët për t’iu bërë të ditur ndryshimet në mënyrën e aplikimit”.

Skema e re e ndihmës ekonomike, i ndërlidh të gjithë përfituesit në mënyrë aktive dhe direkte me zyrat e punës. Qëllimi është tha ministri Klosi që skema të kthehet në aktive, dhe njerëzve t’ju ofrohen mundësi riintegrimi përmes punësimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat