Gjesti i rrallë i mësueses nga Gramshi për të mbajtur gjallë ison shqiptare

Shqipëria

Gjesti i rrallë i mësueses nga Gramshi për të mbajtur gjallë ison shqiptare

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 20:26
Violeta Mirakaj

Rubrika “Ka një mesazh për ty”, solli këtë javë një mësuese muzike nga qyteti i Gramshit. Ndonëse zakonisht janë nxënësit ata që vijnë në studio për t’i kërkuar falje mësuesve, sot Violeta Mirakaj, mësuese e shkollës 9 – vjeçare “Këshilltarët e Galigatit” në Galigat të Gramshit, vjen për t’i kërkuar nxënësve të saj të ruajnë traditën e zonës së tyre.

Në shkollë ajo u mëson nxënësve këngën popullore me iso. Por këta të fundit, nuk e pëlqejnë këtë zhanër të muzikës dhe janë të prirur të dëgjojnë muzikën moderne. E ndodhur në këtë situatë, ajo zgjodhi t’i ftonte në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”, në mënyrë që ato të bëhen më të përgjegjshëm për ruajtjen e traditës.

“Nxënësve nuk i pëlqen të këndojnë këngë popullore me iso. Unë u vura në një pozicion të vështirë. Më pas mendova se çfarë të bëja dhe fillova t’i vendos edhe kërcimin, vallen dyshe të grave të Gramshit.”

Nxënëset e pranishme në studio nuk u shkonte ndërmend që mund të ishte mësuese Violeta prapa murit. Kjo pasi, në ekran ato shikojnë shtatë djem të bukur. Ardit Gjebrea i thotë se këta djem duan të jenë pjesë e grupit të tyre të kërcimit, pasi i kanë parë në një videoklip. Vajzat i pranojnë djemtë të jenë pjesë e grupit të tyre dhe këta të fundit i ftojnë vajzat për një vallëzim.Surpriza nuk mbyllet me kaq, pasi mësuese Violeta i shfaqet vajzave gjatë kohës që ato po vallëzonin.

“Çfarë po bëhet këtu? Stop muzika! Po këta ju kishin ftuar ju tek “E Diela Shqiptare” apo unë?”

Nuk e dinim! – shprehen vajzat.

Mësuesja më pas i thotë vajzave që ka një mesazh për to:

“Ashtu siç mësuat të kërceni vallen dyshe të Gramshit, mësuesja do që ju të mësoni të këndoni këngën popullore tradicionale, me qëllim që kënga popullore të mos na humbasë."

Ato ia premtojnë mësueses që do të mësojnë të këndojnë këtë vlerë të kësaj treve. Në fund të gjitha sëbashku kënduan këngën popullore tradicionale me iso.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat