Basha: Të hapur për koalicione, të luftojmë bandën e pushtetarëve

Shqipëria

Basha: Të hapur për koalicione, të luftojmë bandën e pushtetarëve

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 21:44
Lulzim Basha

Partia Demokratike është e hapur për aleatë të rinj, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Kjo sipas kryetarit të PD-së, Lulzim Basha bëhet për të luftuar krimin drogën, e cila sipas tij ka mbështetjen e qeverisë.

“E dimë që droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve, nuk është zgjedhja e burrave dhe grave të ndershëm, është alternativa e vetme, mundësia e vetme që iu dha Edi Rama. Një mundësi që i skllavëron ata ndërkohë që pasuron vetëm një grusht njerëzish. Është fondi që Edi Rama ka bërë gati për veten e tij për të kapur, blerë, prishur zgjedhjet e radhë. Dhe për këdo tjetër është mallkim, është skllavërim, është ankth, është vrasje, është plagosje, varfërim. Nuk mund të kthehet në model trafikanti për fëmijët e shqiptarëve, nuk mund të lejojmë të kthehet në model. Nuk mund të lejojmë që në klasat e fëmijëve tanë të digjet hashash e të drogohen, e të helmohen siç ndodhi para një jave në Paskuqan apo në Fushë –Krujë. Ne nuk mund ta lejojmë kurrë dhe nuk do ta lejojmë kurrë. Për këtë na duhet një bashkim i madh. Shumica e shqiptarëve janë me ne. E izoluar dhe më e pakët se kurrë në numër është banda që kemi përballë”, deklaroi Basha nga Kurbini.

Lideri i opozitës theksoi së mbulimi i Shqipërisë me drogë një vit para zgjedhjeve është pakti i Edi Ramës me krimin, në mënyrë që me para, me presione dhe me shantazhe të tjetërsojë vullnetin e zgjedhësve.

Së bashku me shqiptarët, tha kreu i opozitës, do t‘i japim vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe alternativën që i duhet për zhvillimin e vendit, punësimin dhe mirëqënien e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat