Manjani: Të shkulim hashashin nga mendja!

Shqipëria

Manjani: Të shkulim hashashin nga mendja!

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 09:20
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli nuk kanë ndërmend ta lejnë në mes debatin e nisur për hashashin dhe ndërhyrjen e ushtrisë në asgjësimin e lëndës narkotike. Pas replikës së Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila e quajti jo serioze propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, ky i fundit shkruan rrjetet sociale se propozimet duhet të jenë serioze dhe jo të bëhen batuta nga kolltuqet e rehatshme. Në vijim të reagimit, ministri i drejtësie thekson se lufta kudër kanabisit është një çështje serioze dhe serioziteti, nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që ofron detyra publike.

“Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e jo) nuk kanë përfitim nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë! Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin!

Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!” Ministri i Drejtësisë shkruan se të gjithë pa dallim, policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë duhet të jenë pro shfarosjes së kësaj të keqeje. “Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit! Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë!

Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyre që kërcënojnë sigurinë tonë publike! Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!”.

Duke iu referuar propozimeve te fundit te ministrit Tahiri për amendime të Kodit Penal, Manjani risjell në vëmendje faktin se që në prill të këtij viti ka depozituar në qeveri projektin për ndryshime në këtë Kod! Dhe Majnani e mbyll duke theksuar se ky projekt është aty, në Qeveri, në pritje për miratim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat