Rama akuza gjyqësorit: Po përpiqet intensivisht të bllokojë vettingun

Shqipëria

Rama akuza gjyqësorit: Po përpiqet intensivisht të bllokojë vettingun

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 18:39
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar debatin për HEC-et në Valbonë për të akuzuar gjyqësorin se po përpiqet të bllokojë vettingun. Në debatin me demokratët, Kryeministri argumentoi se lejet janë dhënë nga qeveria Berisha dhe është e vështirë të anulohen. Kreu i qeverisë tha se në Valbonë do të ketë vetëm 2 HEC-e, ndërsa për 9 të tjera nuk është dhënë drita jeshile.

Debatet për ndërtimin e Hidrocentraleve në Parkun e Valbonës kanë zbritur edhe në sallën e Kuvendit.

Ndërsa kryeministri, Edi Rama, ka përfituar nga kjo çështje për të akuzuar gjykatat se po përpiqen të bllokojnë vettingun.

Rama: Hap e mbyll sytë asnjë proçedurë anullimi për shkak të angazhimeve që janë marrë nga qeveria. Dhe në gjykatat ndërkombëtare, se ato shqiptare e dini vetë ju se po merreni intensivisht për ta bllokuar vettingun, por dhe në ndërkombëtaret nuk mund të shkojë dot qeveria dhe të jetë palë e besueshme në rast se qeveria e mëparshme ka bërë hatara të kësaj natyre.

Deputetja demokrate, Mimoza Hajdarmataj, akuzoi qeverinë se po shkatërron një pasuri të natyrës shqiptare.

Hajdarmataj: Ju ftoj që ta vizitoni të paktën një herë si Kryeministër Valbonën, ec dhe thuaju me besë se cila është leverdia për tropojanët, por edhe për gjithë shqiptarët, një Valbonë turistike apo një Valbonë energjitike.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se lejet janë dhënë nga qeveria Berisha dhe është e vështirë të anulohen.

Kreu i qeverisë tha se HEC-et në Valbonë nuk do të kenë impakt në mjedis, ndërsa theksoi se do të ndërtohen vetëm dy nga 11.

Rama: Kur dëgjoni Hidrocentrale në Valbonë lidhur me këto dy projekte sepse nëntë të tjerave nuk ua kemi hapur dritën jeshile, mos parafytyroni diga, nuk do të ndërtohen diga.

Përtej debatit për Valbonën, kryeministri Edi Rama përmendi se qeveria ka anuluar 6 HEC-e të vogla në Theth, duke ndjekur rigorozisht proçedurat dhe kriteret e vendosura në kontratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat