“Venecia” kthen përgjigje pas dy muajsh për ligjin e bllokuar

Shqipëria

“Venecia” kthen përgjigje pas dy muajsh për ligjin e bllokuar

Më: 28 tetor 2016 Në ora: 09:47
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të nisë ditën e premten në Komisionin e Venecias tekstin me rezervat për ligjin e “Vetting”-ut. Por, para dërgimit ligji duhet të përkthehet në anglisht, një praktikë kjo që Kushtetuesja ndjek për çdo opinion që dërgon në institucionet ndërkombëtare. Por ndryshe nga çështjet e tjera, për “Vetting”-un po kërkohet një përshpejtim pas thirrjes së ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, që reforma në drejtësi të mos ketë vonesa dhe të nisë nga zbatimi.

Komisionit të Venecias do t’i duhet të paktën 1 muaj e gjysmë për të përgatitur opinionin e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për ligjin e rivlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Opinioni pritet të mbërrijë në mesin e dhjetorit të këtij viti ose në janar të vitit 2017. Lajmin e kanë konfirmuar vetë zyra për marrëdhëniet me jashtë në Komisionin e Venecias.

“Komisioni i Venecias nuk është njohur ende zyrtarisht me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, por e kemi mësuar këtë nga media. Me shumë mundësi ne do të miratojmë opinionin tonë mbi këtë Amicus Curiae gjatë sesionit të 9 dhe 10 dhjetorit të këtij viti”, është shprehur zyra për marrëdhëniet me jashtë e Komisionit. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e ligjit të “Vetting”-ut, por bashkë me këtë vendim 8 gjyqtarët ranë dakord qe t’i drejtohen Komisionit të Venecias para se të shpallin nëse ky ligj është apo jo në përputhje me Kushtetutën. Burime pranë Gjykatës sqarojnë se kërkesa ne Venecia do të niset, sapo të përfundoje përkthimi në anglisht; me shume mundësi brenda kësaj jave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat