"Burrin ma vranë me 1 plumb në kokë, nuk e njoh personin"

Shqipëria

"Burrin ma vranë me 1 plumb në kokë, nuk e njoh personin"

Më: 4 nëntor 2016 Në ora: 10:58
Pamje nga gjykata

Mëngjesin e djeshëm, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar seanca e radhës ndaj bandës të vrasësve me pagesë, ose e cilësuar ndryshe si ajo e Admir Tafilit. Ky i fundit, aktualisht vuan dy dënime të përjetshme, ndërsa është vënë përsëri nën akuzë si porositës i disa vrasjeve të ndodhura kohë më parë. Një ndër to është edhe vrasja e shtetasit Brahim Mani, më datë 25 qershor 2014. I penduari i kësaj çështje, Kristi Pine ka deklaruar në prokurori se vrasjen e ka kryer ai me urdhër të Admir Tafilit, në shenjë hakmarrjeje. Por ky pretendim nuk është pranuar asnjëherë nga Tafili. Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje organi i akuzës ka sjellë në gjykatë një numër të lartë dëshmitarësh, por askush prej tyre nuk ka nxjerrë në pah ndonjë detaj të personit që qëlloi për vdekje 49-vjeçarin Brahim Mani, nga Shkodra. Prokuroria në seancë kishte sjellë në gjykatë për të dëshmuar bashkëshorten e të ndjerit, Lirie Mani. Kjo e fundit ka treguar se ishte e pranishme ditën e vrasjes së Brahimit, ndërsa nuk njihte asnjë prej të pandehurve. E vendosur para gjykatës, ajo ka treguar me lot në sy gjithë historinë se si iu vra burri në derën e shtëpisë.

Dëshmia

“Vrasjen e tim shoqi e kam ende para syve. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, ende nuk kemi marrë vesh për motivim e vrasjes së Brahimit. Nga këta persona që shoh këtu në sallë, nuk njoh asnjërin, as si emër dhe as si fytyrë. Brahimi është vrarë më datë 25 qershor të vitit 2014, nëse nuk gaboj ka qenë ora 18:00. Ishim të dy bashkë, jo më larg se 10 metra larg derës së shtëpisë. Merreshim me bujqësi, atë moment po punonim tokën, ose një pjesë të oborrit të shtëpisë. Duke punuar, Brahimi më kërkon t’i merrja brenda në shtëpi një shishe me ujë. Lë punën që kisha në dorë dhe nisem për t’u futur në shtëpi. Teksa po ngjisja shkallët, dëgjova një zë të lehtë që i thirri Brahimit, por nuk e ktheva kokën sepse mendova mos ishte ndonjë komshi. Punë sekondash dëgjoj një të shtënë të lehtë dhe aty kthehem menjëherë. Një djalë i ri rreth 25-vjeç dhe me kapuç në kokë i kishte qëlluar Brahimin nga një distancë rreth 2 metra. Ai kishte rënë në tokë, ndërsa djali që e vrau iku me vrap me pistoletën në dorë. Ç’të bëja, u shtanga kur pash që Brahimin e kishte qëlluar në kokë, madje më ka rënë të fikët më pas. Aty janë gjendur kushërinjtë e Brahimit që e kanë çuar në spital, por ai kishte mbaruar. Mirë që atë skenë e pash unë, por edhe fëmijët e panë të atin të gjakosur”, është shprehur Lirie Mani.

Po ashtu, kjo e fundit është shprehur se personin që kishte qëlluar me armë Brahimin nuk kishte mundur t’i shikonte fytyrën, pasi u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ndërsa pyetjes së bërë nga prokurori i çështjes nëse kishte dijeni mbi ndonjë konflikt të Brahimit apo jo, ajo është shprehur se: “Di që Brahimi nuk ka pasur asnjë sherr me askënd. Me një fis që ata kishin hasmëri, e kanë shuar atë, e kanë falur njëri-tjetrin. Dhe hasmëria po u fal nuk ndodh asnjë gjë më pas. Kaq kam dijeni për këtë pjesë”, ka thënë ajo. Ngjarja ka ndodhur dy vite më parë, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkajës”, në lagjen “Xhabije”, në hyrje të Shkodrës. Viktima ishte vetëm 10 metra larg shtëpisë së tij, kur është qëlluar për vdekje me pistoletë. Dëshmitare e vetme okulare për këtë ngjarje është vetëm bashkëshortja e Brahim Manit, pasi ka qenë e pranishme në momentin që ai është qëlluar për vdekje. Policia dhe prokuroria e kanë regjistruar këtë ngjarje si vrasje për hakmarrje, ndërsa ende nuk ka përfunduar gjykimi i saj.

Edmond Çakmashi

Në Gjykatën e krimeve të Rënda për këtë çështje u paraqitën gjithsej tetë dëshmitarë të thirrur nga ana e organit të akuzës. Tre prej tyre dëshmuar për atentatin e bërë ndaj shtetasit Edmon Çakmashi. Ky i fundit dëshmoi një javë më parë në gjykatë, nga ku u shpreh se nuk e njihte të akuzuarin Admir Tafili dhe se nuk mbante mend asgjë nga çfarë kishte ndodhur. Sakaq, dje në gjykatë fqinjët e tij kanë deklaruar se ditën kur i është bërë atentat me eksploziv Edmondit nuk kanë parë asnjë person të dyshimtë në lagje. “Momentin kur ndodhi ngjarja kemi dëgjuar vetëm zhurmën dhe Edmondin që bërtiste me të madhe. Me të akuzuarit nuk kemi njohje. Atë ditë kemi çuar në spital vetëm Edmondin dhe nuk kemi bërë asnjë veprim tjetër”, janë shprehur ata para gjykatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat