“LSI, ambicie për të fituar e vetme në 2017”

Shqipëria

“LSI, ambicie për të fituar e vetme në 2017”

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 09:43
Shezai Rrokaj

Gara brenda partisë për zgjedhjen e kreut të ri, më tepër se sa përshtypjen e një procesi të drejtë që dha përfshirja në garë e dy kandidatëve Shezai Rrokaj dhe Përparim Spahiu, ka nxjerrë në pah ambiciet që partia më histori 12-vjeçare ka për pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Pikërisht, ideja që LSI-ja mund të fitojë dhe marrë pushtetin e vetme ka qenë ideja që është theksuar nga të dy “rivalët” e Metës gjatë fushatës, por edhe në ditën e zgjedhjeve. Madje, kjo ide i bëri hije edhe ambicies së tyre për kreun e LSI-së. Një nga kandidatët e vetëshpallur pak javë më parë, Shezai Rrokaj tha pas votimit në Njësinë Administrative nr. 2 të Tiranës, se LSI-së ka ambicien të dalë e para në zgjedhjet e vitit 2017 dhe të marrë pushtetin. “Sot kanë votuar për kreun e LSI, i cili do të dijë ta udhëheq LSI-në drejt fitores.

Çdo parti politike synon në radhë të parë ta marr pushtetin dhe të dal forcë e parë dhe këtë ambicie këtë radhë LSI e ka sipas konceptin tim. Dhe kjo do të bëj ndryshimin në vitin 2017. Pastaj konceptet e koalicioneve vendosen mbi baza platformash të cilat duhet të jenë parazgjedhore dhe të cila duhet të mbështeten mbi luajalitetin e drejtimit politik. Këto i vendosin strukturat e partisë. Nuk e vendos asnjë individ, kuptuar këtu edhe kryetarin e ardhshëm të LSI-së”, u shpreh Rrokaj. Sa i përket një koalicioni të mundshëm me PD-në, ai tha se LSI-ja synon të dalë forcë e parë, por nuk përjashtoi mundësinë e koalicionit që sipas tij vendoset nga strukturat. “Ne synojmë që të dalim forcë e parë, por natyrisht koalicionet janë pjesë e vendimmarrjes së strukturave”, u shpreh ai.

Në të njëjtën vijë me Rrokajn ishte edhe rivali i tij, Përparim Spahiu, i cili ka qenë i pari që e hodhi idenë se LSI-ja në 2017 duhet të synojë kryeministrinë e jo të bëhet shpëtimtarja e njërës prej dy partive të mëdha. Pas votimit, Spahiu dha një prononcim për mediat nga Dibra ku theksoi se LSI-ja është e para, ndërsa falënderoi të gjithë anëtarësinë e LSI-së për një proces, siç e cilësoi ai të shkëlqyer zgjedhor, që është një shembull për të gjitha partitë politike në Shqipëri. Në këtë dalje Spahiu u tregua më i rezervuar në deklaratat e tij, por duke i qëndruar thelbit: LSIja është e para. “Besoj që erdhëm deri këtu për një LSI më të mirë, që unë personalisht besoj fort që është për një Shqipëri më të mirë. Për një politikë që dëgjon dhe mban shënim kërkesat dhe problemet e njerëzve dhe që i zgjidh ato. Unë besoj fort që LSI është e para dhe duhet të jetë e para. Unë në këtë proces dua të falënderoj pa masë të gjithë anëtarësinë e LSI-së për një proces fantastik zgjedhor, që për mua është një shembull për të gjitha partitë politike në Shqipëri”, u shpreh Spahiu një ditë më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat