Rama e Meta e propozojnë për kryenegociatore me BE Majlinda Bregun, Basha kundër

Shqipëria

Rama e Meta e propozojnë për kryenegociatore me BE Majlinda Bregun, Basha kundër

Më: 8 nëntor 2016 Në ora: 13:30
Edi Rama

Prej kohësh në korridoret e politikës flitet për një ftohje të Majlinda Bregut me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kjo është shfaqur disa herë edhe në mbledhjet e grupit parlamentar demokrat, ku Bregu ka qenë një ndër kritiket më të ashpra të kryetarit të saj.

Në të njëjtën kohë zërat flasin edhe për një marrëdhënie të mirë mes saj dhe kryeministrit Rama, megjithëse në krahë të kundërt politikë.

Po çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe?

Gazeta Panorama u interesua pranë dy partive më të mëdha në vend dhe mësoi se gjithçka ka nisur disa muaj më parë, kur në korridoret e Bashkimit Europian po përflitej çelja e negociatave mes Shqipërisë dhe Brukselit.

Ky hap i rëndësishëm për integrimin e vendit, kërkon që nga pala shqiptare të emërohet një kryenegociator që do të drejtojë gjithë negociatat për Tiranën zyrtare.

Por, kushti i vetëm është që ky kryenegociator përpara se të emërohet të ketë konsensusin e maxhorancës dhe politikës.

Një burim i “Panorama” tha se kryeministri Rama ka propozuar Majlinda Bregun në këtë pozicion.

Me këtë propozim Rama duket se ka pasur parasysh dy pika të forta: së pari Bregu është një njohëse e mirë e procesit të integrimit, pasi ka drejtuar për 6 vite ministrinë e Integrimit dhe për 3 vite komisionin parlamentar të Integrimit si dhe faktin që ajo vjen nga opozita.

Mësohet se Rama për këtë propozim dhe me këto argumente ka marrë edhe OK e aleatit të tij kryesor në Qeveri, Ilir Meta.

Por çështja ka ngecur në selinë e Partisë Demokratike, aty ku Lulzim Basha ka thënë “JO”.

Kreu demokrat, dikur në një marrëdhënie shumë të afërt me Majlinda Bregun (të dy kanë qenë pjesë e KOP dhe qeverisë ‘Berisha’), nuk e ka pranuar propozimin e Ramës.

Refuzimi i Bashës ka bërë që kandidatura e Bregut të digjet për këtë pozicion shumë të rëndësishëm.

Kjo duket se ka ndikuar ish bashkëpunëtorja e afërt e Bashës, të nisë sulmet ndaj tij, në grupin parlamentar demokrat. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat