Rama: Ja kushti që na ka vënë BE-ja për negociatat

Shqipëria

Rama: Ja kushti që na ka vënë BE-ja për negociatat

Më: 9 nëntor 2016 Në ora: 14:52
Edi Rama

Kryeministrit Edi Rama i është dorëzuar sot nga ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, Progres-Raporti i BE për Shqipërisë me rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në. Po ashtu, ai ka deklaruar edhe arsyen pse është deklaruar kundër Trump dhe pse pavarësish kësaj, ai sot e uroi për fitoren si President i SHBA-së.

Rama ka dalë në një konferencë të posaçme shtypi me znj. Vlahutin për të publikuar lajmin e dhënies së rekomandimit nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por të kushtëzuar dhe ku theksoi se kushti i vetëm ndaj Shqipërisë ishte ligji i Vettingut dhe zbatimi i tij.

E para qe ambasadorja Vlahutin, që duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për Vettingun, sqaroi se “kushtetueshmëria e gjithë ligjit nuk është vënë në pikëpytje, por vetëm disa pika që i janë dërguar Komisionit të Venecias për opinion. Pra, nuk bëhet fjalë për të gjithë ligjin, por për disa elementë dhe jam e sigurt se Komisioni i Venecias do të na japë një shpjegim shumë të qartë.”

Ndërsa Rama nga ana e tij tha: “ Shqiptarët duhet ta dinë që ka vetëm një premisë të mirëkuptuar për të filluar negociatat me BE: Ligji për zbatimin e e Vettingut.

Realiteti na tregon se jo të gjithë e duan zbatimin e këtij ligji që pastron sistemin tonë të drejtësisë nga atë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që e kanë penguar drejtësinë të japë drejtësi. Nuk flas dot me “nëse”, por jam shpresëplotë se asnjë skenar për të penguar një proces kaq historik dhe me interes kaq të lartë kombëtar sa ky i integrimit, nuk do të mundë ta pengojë atë, sepse është vullnet historik.”

Z.Rama, a mendoni se po të mos i kishit bllokuar 3 ligjet, vendi do ta kishte marrë rekomandimin në vitin 2013? Dhe, a jeni penduar për deklaratat tuaja kundër Trump?

Rama:Më lejoni të them se me 3 ligje pa 3 ligje, Shqipëria nuk e merrte rekomandimin për hapjen e negociatave.

Sa për pyetjen  e dytë, unë jam shprehur kundër Donald Trampit si kandidat, sepse jam prekur si qytetar, si emigrant, si kryeministër, sepse më kanë prekur deklaratat për emigrantët, myslimanë, Kosovën dhe unë jam një pikë uji në detin e dekleratave.

Sot ai është zgjedhur nga populli sovran për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara dhe respekti im si Kryeministër, si qytetar i këtij vendi, respekti për SHBA, për popullin amerikan, ashtu dhe miqësia dhe aleanca jonë me SHBA as nuk mund të vihet në dyshim dhe vërtet ndiej keqardhje për banalitetin e disa agallarëve dhe qehallarëve të “kafes së madhe” që janë kaq mendjelehtë sa duket sikur sot i ankohen Presidentit të Amerikës për mua. Por nuk funksion kështu sot bota dhe as Shqipëria që unë kam nderin dhe privilegjin e madh ta qeveris.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat