Qeveria gjen zgjidhjen e duhur, ja strategjia kundër kultivimit të drogës

Shqipëria

Qeveria gjen zgjidhjen e duhur, ja strategjia kundër kultivimit të drogës

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 18:22
Ilustrim

Investime infrastrukturore dhe mundësi të reja punësimi të fokusuara në zonat rurale me varfëri të lartë.

Kjo është strategjia më e re e qeverisë për të parandaluar kultivimin e mëtejshëm të kanabisit dhe zhvendosjen e banorëve të zonave të varfra nga narkotika tek bujqësia. Qeveria ka përgatitur një dokument strategjik kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe ngriti një grup pune për konkretizimin e iniciativës. Zëvendës kryeministri, Niko Peleshi u caktua në rolin e koordinatorit politik, ndërsa këshilltari i kryeministrit për sigurinë, Sandër Lleshi do të drejtojë grupin teknik. 

“Kemi arritur rezultate shumë të mira, të njohura dhe inkurajuara nga partnerët ndërkombëtarë në luftën për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike. Lazarati famëkeq, ishte suksesi i parë madhor, por ishte vetëm pjesa e dukshme e trashëguar. Shqipëria ishte e prekur nga kultivimi i kanabisit edhe në rajone të tjera. Falë angazhimit serioz të institucioneve ligjzbatuese, policisë së shtetit, shërbimeve inteligjente dhe bashkëpunimit me partneret ndërkombëtarë, suksesi i arritur në Lazarat filloi të shtrihet në të gjithë vendin. Synojmë që në pranverën e ardhshme kultivimi i bimëve narkotike të reduktohet në një rekord historik. Rruga e ndjekur është një qasje integrale: ligj dhe mundësi më të mira jetese për zonat e prekura. Forcimi i zbatimit të ligjit me tolerancë zero, nuk është i mjaftueshëm për të eliminuar përfundimisht këtë veprimtari të paligjshme. Ai lufton pasojën, por jo plotësisht shkakun. Jo rastësisht, kultivimi ndodh  në zona më pak të zhvilluara, në toka të papërdorura, të pa ujitura, pa akses.  Pranë fshatrave të varfra, me shërbime të munguara dhe jetesë të pa përballueshme, tha numri dy i qeverisë, Niko Peleshi. Këto deklarata u bënë në përfundim të një takimi me trupën diplomatike në vend për këtë dokument strategjik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat