Rrëzimi i ligjit, ja pronat që preken

Shqipëria

Rrëzimi i ligjit, ja pronat që preken

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 08:11
Agjencia e Trajtimit të Pronave,

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Sonila Qato ka argumentuar se shfuqizimi i disa pikave të ligjit për trajtimin e pronave nuk e ndryshon formulën aktuale të vlerësimit të pronave. Me këtë qëndrim, ajo ka konfirmuar qëndrimin e përsëritur të qeverisë se aty ku prona është e lirë, do i kompensohet fizikisht e plotë pronarëve, sigurisht duke u vlerësuar sipas ligjit. Në një bisedë me gazetarët, Qato ka thënë se për të ndryshuar nenet e rrëzuara nga Gjykata, duhet më parë të lexohet argumentimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka siguruar se vendimi nuk e prek vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve të vendosura për kompensim deri më sot, por vetëm një pjesë të 11 mijë dosjeve në shqyrtim.

Znj.Qato, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo që shqetëson më së shumti pronarët është mënyra se si do të bëhet kompensimi?

Ndryshimet e pësuara nga vendimi i bërë publik dje nëpërmjet një njoftimi nga Gjykata Kushtetuese nuk e prekin thelbin e formulës së ligjit të ri për trajtimin e pronave. Pra, mbetet në fuqi vlerësimi ekonomik për kompensim tokave, bazuar në zërin kadastral që ato kanë pasur në momentin e shpronësimit. Kjo është shumë e rëndësishme për pronarët, pasi i gjithë procesi i nisur nga ana jonë e deri më sot nuk cenohet, dhe siç e kemi nisur që në fillim të vitit këtë punë, ashtu do të vazhdojmë sërish zbatimin e kësaj formule.

Një nga pikat që është shfuqizuar është ajo që parashikon kompensimin e pronave në bazë të zërit kadastral. Si do të vijojë procesi?

Në çdo dalje publike dhe shpjegim që i kemi bërë kësaj pike të ligjit, qeveria (për të gjithë personat që preken për trajtimin e kësaj çështjeje), ka shpjeguar se vazhdon të qëndrojë kompensimi i plotë fizik në pronën e njohur për pronarët që e kanë tokën e lirë. Ndryshimi i ndodhur dje nëpërmjet njoftimit të Kushtetueses prek vetëm aty ku ka ndryshim të zërit kadastral, pra ato prona, të cilat në momentin e shpronësimit kanë pasur një zë kadastral të ndryshëm nga ai që kanë sot. Gjithsesi vazhdon fryma që përmban ligji i ri, i cili thotë se aty ku prona është e lirë ua kthen pronarëve, ose më saktë ua kompenson fizikisht.

Me këto dy pikat që janë shfuqizuar si do të veprohet, do të mbetet në fuqi baza e vjetër ligjore?

Nuk duhet të nxitohemi me deklarata të tjera, pa lexuar arsyetimin që do të përdorë Gjykata Kushtetuese në zbardhjen e këtij vendimit. Për momentin, ajo çka kemi kuptuar nga referimi që ka dhënë Gjykata, na bëhet e ditur se metodologjia e vlerësimit për kompensimin e pronarëve nuk ka ndryshuar, ndërsa mënyra sesi do të arsyetojë Gjykata me këtë vendim, do të na udhëheqë nëse qeveria do të ketë nevojë për ndërhyrje apo jo. Agjencia e Trajtimit të Pronave është e interesuar të njihet me arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese në zbardhjen e vendimit, sidomos pas opinionit pozitiv të Komisionit të Venecias mbi ligjin e trajtimit të pronave dhe përfundimit të procesit të kompensimit. Vetëm nëpërmjet leximit të arsyetimit, do kuptohet edhe nëse do të ketë apo jo ndërhyrje të tjera në ligj.

Vendimi i Kushtetueses do të ketë efekt vetëm në 11 mijë dosjet që janë në shqyrtim, apo edhe në 26 mijë të tjerat që kanë një vendim për njohje? 

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk e prek vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve të caktuara për kompensim deri më sot. Ndërkohë, prek nga 11 mijë dosjet që kemi për trajtim njohje pronësie vetëm atë kategori dosjesh të cilat kërkojnë njohje të pronësisë me ndryshim të zërit kadastral.

A është ky vlerësimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, apo do të ketë rishqyrtim nga ana e saj? 

Mendoj që ky është vendimi përfundimtar.

Reagimi për gjykatën

Shfuqizimi i pikës 3 të nenit 5 nuk sjell asnjë pasojë lidhur me metodologjinë e vlerësimit financiar të pronave, të njohura për kompensim deri më sot. Kompensimi i pronarëve do të vijojë sikurse është nisur që në fillim të këtij procesi pa cenuar asnjë element të vlerësimeve të bëra publike deri më tani. Marrja në dijeni mbi shfuqizimin e pikës 5 të nenit 6 të ligjit, e vendos ligjin përpara cenimit të parimit kushtetues të trajtimit të barabartë të pronarëve përpara ligjit, vetëm për sa u përket pronave, të cilave u ka ndryshuar zëri kadastral nga origjina deri më sot, pasi për pronarët që kompensohen vlerësimi u bëhet në zërin e origjinës, ndërsa pronarët që përfitojnë kompensim fizik në pronën e njohur, e përfitojnë të plotë në zërin aktual.

"ATP të pezullojë punën deri në argumentin e plotë"

Partia Republikane vlerëson vendimin që mori Gjykata Kushtetuese për anulimin e pikave 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit të Pronave, ligj i miratuar nga maxhoranca në parlament, por i kontestuar nga Presidenti i Republikës, Partia Republikane, Avokati i Popullit, PD dhe shoqatat e pronarëve. Maksim Begeja, Kryetar i Asamblesë Kombëtare të PR-së dha dje një deklaratë, në të cilën tha se për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar duhet të presim zbardhjen e vendimit dhe veçanërisht arsyetimin e Gjykatës për rrëzimin e këtyre dy pikave. “Me gjithë këtë, konkluzioni paraprak është se ‘de facto’ rrëzimi i këtyre dy pikave, ka rrëzuar në tërësi nenin 6, i cili në mënyrë abuzive bënte vlerësimin e pronës sipas gjendjes së saj në vitin 1945, pa marrë parasysh transformimet që kanë ndodhur deri më sot dhe gjendjen aktuale të saj. Për pasojë është rrëzuar edhe neni 7, i cili përcakton procedurën që ndiqet për vlerësimin e pronës, bazuar në gjendjen e mëparshme të saj ( pra vitin 1945 ) të krahasuar me gjendjen aktuale. Në këtë mënyrë të gjithë pronarët për të cilët janë marrë vendime do të konsideroheshin të kompensuar ndërsa për pronarët, dosjet e të cilëve janë në shqyrtim, nuk do të përfitonin kompensim”, u shpreh Begeja. Më tej ai thekson se pavarë- sisht nga vendimi i lartpërmendur i Gjykatës Kushtetuese, Partia Republikane, deklaron se kjo Gjykatë ka zgjidhur pjesërisht problemet që ka ligji. “Ne kemi kontestuar dhe kontestojmë në tërësi ligjin, i cili në themel ka moskthimin e pronës pronarit të ligjshëm dhe kompensimin jo të plotë të saj. PR ashtu siç ka deklaruar, do të angazhohet për të kërkuar nga instancat përkatëse ndërkombëtare shfuqizimin në tërë- si të ligjit, me qëllim që të hartohet një ligj i cili zgjidh në mënyrë të drejtë dhe përfundimtare çështjen e pronës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Nga ana tjetër kërkojmë me insistim që Agjencia e Trajtimit të Pronave të ndërpresë shqyrtimin e vendimeve deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës kushtetuese, dhe amendimin e ligjit nga Parlamenti”, përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat