Çelja e negociatave, degjeneron gjuha e politikanëve në Kuvend

Shqipëria

Çelja e negociatave, degjeneron gjuha e politikanëve në Kuvend

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 10:02
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbajtur fjalën e dhënë para ligjvënësve demokrat në mbledhjen e grupit parlamentar dy javë më parë, ku kërkoi prej tyre që të ashpërsojnë gjuhën ndaj kryeministrit dhe ministrave. Teksa mbante fjalën në foltoren e Kuvendit, ai akuzoi qeverinë Edi Rama për marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe tejkalimin e Prishtinës zyrtare në favor të palëve të treta.

Përplasja Berisha-Bushati

“Gjakrat” janë nxehur edhe më tepër në momentin kur ministri i jashtëm Ditmir Bushati, duke iu përgjigjur akuzave të Berishës i ka thënë: “Na lërë neve, shih rrugaçin që ke në shtëpi. Mos më bëj mua me gisht”. Kaq ka mjaftuar që demokratët të hidhen në sulm, duke mos kursyer dhe fjalë të rënda në drejtim të socialistëve. Nga vendi, deputetja Jozefina Topalli, ka kërkuar nga deputetët e PD-së që të reagojnë: “Çohuni, mbani qëndrim”. Po ka qenë vetë Berisha ai që i është përgjigjur Bushatit, duke e quajtur fundërrinë dhe plehra.

“Të harrojnë shqiptarët se mund të firmoset nga Tirana për Kosovën, në asnjë rrethanë pa pasur plot fuqinë e presidentit të Kosovës apo qeverisë së Kosovës. Mor fundërrinë, mor këlysh i Bllokut (i drejtohet ministrit Ditmir Bushati). More fundërrinë që njëherë akuzohesh për gylenist. Njerëz të cilët për llogari të një pale të tretë i futën një thikë të fortë interesit kombëtar. Jam Sali Berisha unë, o budallenj, nuk tërhiqem unë! E di si më dukeni mua? Plehra! Se të tillë jeni, para interesit kombëtar nuk njoh asgjë unë.

I keni futur thikën për llogari të palës së tretë. I futet thikën Kosovës për llogari të Beogradit”, është shprehur Berisha. Gjatë kohës që ka folur Berisha, situata ka dalë jashtë kontrolli, ku fjalori i deputetëve në dy kampet politike ka degjeneruar.

Reagimi

Kundër akuzave të ish-kryeministrit, ka reaguar ministri Bushati, i cili akuzat e tij i ka quajtur mufka. “Si nuk hoqi dorë duke lëshuar mufka me aktorë të tretë që nuk kanë asnjë lidhje me këtë sallë.

Këtë njeri nuk e merr seriozisht për këto gjera që thotë. Por do të thosha që goditjet që i ka borxh brezit për secilin prej nesh të mos i transferonte për çështje që kanë të bëjnë me shtetin. Tha një të pavërtetë të madhe dhe harroi të thoshte që ishte qeveria e tij që i dha mbështetje të plotë kryesisë së radhës së OSBE nga ana e Serbisë.

Janë disa procese që kalojnë përtej Serbisë”, tha Bushati. Ndërkohë me të njëjtat tone, Berisha ka folur dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në BE. Ai thotë se nëse raporti lexohet siç duhet, atëherë është e qartë se sipas tij “negociatat do t’i hapë PD-ja”. Kjo deklaratë nga ngjallur reagime dhe ovacione në sallën e Kuvendit, kur deputetët socialistë thirrën njëzëri: “Aldo”. Ndërsa kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij në Kuvend me vendimin e djeshëm të Komisionit Europian për t’i rekomanduar Këshillit hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por kamera këtë herë u tregua e vëmendshme për të fokusuar edhe reagimet e deputetëve demokratë gjatë fjalimit të Ramës, e veçanërisht te ish-ministrja Majlinda Bregu. “Kemi marrë rekomandimin pa kushte të Komisionit Europian për Këshillin.

Aq pozitiv ishte rekomandimi saqë nuk e mjegulloi dot as kryetari çehreprishur i PDsë, as heshtja e liderit të PDsë, i cili nuk shkroi asnjë germë për rekomandimin dhe as rropatja e Zhvejkut që sapo erdhi, një natë më parë telefon më telefon nga Brukseli për të shpjeguar qëndrimin heroik të repartit ndërkombëtar të SHQUPit kundër hapjes së negociatave”, tha Rama. Siç shikohet edhe nga video, deputetët e PDsë kanë reagime nga më të ndryshmet, duke nisur nga Bregu e cila shihet e qeshur në fytyrë, deri te Paloka e Bumçi, të cilët i përgjigjen nga vendi.

Replikat Balla-Bumçi

Një pikë të rëndësishme të debatit të djeshëm ka zënë dhe polemikat e përfaqësuesve të PD-së në Bruksel. Nga foltorja e Kuvendit Taulant Balla ku pohoi se PD-ja i kërkoi Europës që mos të hapen negociatat. Ai nuk kursehu as ironitë për opozitën, sidomos për një nga përfaqësuesit nga PD-së në KE, Aldo Bumçi, i cili sipas Ballës në emër të opozitës kërkoi të bllokohej integrimi i Shqipërisë.

“Në sallën e parlamentit, të enjten e kaluar, zëri i Aldos dhe disa deputetë shqiptarë bërtisnin pa pushim, se deri dhe kanabis do ushte kusht për çeljen e negociatave me BE. Thatë dhe çfarë nuk thatë. Zyrtarisht, Bumçi, në emër të PD, në telefon 24 orë duke folur me Berishën dhe Lulin, dorëzoi një dokument, madje më erdhi keq se nuk hëngri as darkë atë natë. I mora dhe një racion tjetër. Edhe sot, edhe dje, edhe pardje, gjatë miratimit të rekomandimeve ishte përfaqësuesi i PD-së mospërfshirjen e një paragrafi.

Dy veta kam dëgjuar unë me zë dhe me figurë këto tre ditë në Bruksel, Aldo Bumçin dhe një eurodeputet grek, mirë që nuk ia di. Ai foli njësoj si Aldo. Mos t’i hapen negociatat Shqipërisë, madje ti ndërpritet procesi i integrimit”, u shpreh Balla. Pas tij, deputeti demokrat u shpreh se në Bruksel, axhenda vendoset nga KE, se cilat ishin pikat që shqetësonin ata. “Zgjedhjet, krimi, lufta kundër korrupsionit, dekriminalizimi. Pse nuk gëzojnë këta hapësirën në KE? Pse janë të hidhëruar. Opozita e djeshme nuk ka lidhje me atë sotmen. Ai ishte një takim që nuk merren vendime, por ka diskutime”, tha Bumçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat