Historia e trishtë e familjes Tafa që humbi 5 anëtarë nga përmbytjet

Shqipëria

Historia e trishtë e familjes Tafa që humbi 5 anëtarë nga përmbytjet

Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 08:54
Gushe Tafa

Historia e trishtë e familjes Tafa në Milot të Kurbinit rikthehet sërish në vëmendje nga situata e reshjeve dhe përmbytjeve, ndërsa sigurisht që banesa e tyre nuk mund të përjashtohet asnjëherë nga ky “fat”. Aty ku një grua e moshuar jeton bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes ka ujë dhe sa herë bie shi, futet uji brenda. Gruaja, e cila ka humbur 23 vite më parë gjysmën e pjesëtarëve të familjes, thuajse nga një situatë e ngjashme, tashmë rrezikohet çdo ditë, teksa rri me fshesë në duar për të pritur ujin të mos i hyjë në shtëpi. Gushe Tafa tregon se që në atë kohë kur shkëmbi u nda nga mali dhe ra mbi banesën e tyre dhe humbën jetën pesë persona të familjes asnjë qeveri nuk është kujtuar për ta që t`i ndihmojë. Asokohe janë strehuar në një magazine dhe nuk kanë mundur të dalin më që aty e për pasojë godina e shkatërruar mbushet me ujë sa herë bie shi. E moshuara ka vetëm një djalë që qëndron në shtëpi por me rrogën që merr me punën që bën e ka të pamundur të ndryshojë fatin e familjes së tij ndërsa gruaja bën me dije se dikur janë hedhur fonde për shtëpinë e saj dhe se ia kanë marrë drejtues të pushtetit lokal dhe kurrë nuk i pa me sy paratë që u hodhën për tragjedinë e pesëfishtë të familjes së vet.

Sipas të dhënave të para mësohet se edhe tashmë, asnjë ndihmë nuk është akorduar për të dhe familjen e saj ndërsa bëjnë apel që të ndërhyhet për të ndryshuar gjendjen të paktën për hir të fëmijëve të të birit. “Sa herë bie shi ne jemi të rrezikuar pasi nuk ka asnjë kanal kullues dhe i gjithë uji vërshon në drejtim të banesës sonë. Qëndrojmë këtu prej shumë e shumë vitesh dhe jemi të pamundur të dalim në një shtëpi tjetër pasi nuk i kemi mundësitë ekonomike. Asnjë lekë nuk na dhanë asnjëherë kur ne patën fatkeqësi, as kur më vdiqën familja, as më vonë kur përmbyteshim dhe as tani që jemi në pikë të hallit. Unë jam e moshuar e djali i pamundur për të bërë diçka pasi rroga nuk mjafton. Bëj apel që shteti të më ndihmojë që të dal nga kjo shtëpi se nuk mund të rrisim më fëmijë këtu”. Ndërsa Albani 37 vjeç, djali i Gushes përpiqet të pastrojë nga balta shtëpinë e cila ndodhet ngjitur me rrugën nacionale të Veriut, por frika e ardhjes ndonjë rrebeshi e trishton dhe ka frikë edhe për jetën e tre fëmijëve. “Askush nga pushtetarët nuk është kujtuar për brengën e madhe të familjes Tafa në Milot, duke humbur çdo shpresë nga këta drejtues hileqarë që mund të bëjnë diçka për ne. Të ardhurat nga puna ime nuk sigurojnë dot të ardhurat për familjen dhe jo më të investoj për shtëpi banimi, pasi kjo banesë tashmë është e mbuluar nga frika se nga çasti në çast do të shembet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat