Basha: Për para dhe pushtet, Edi Rama shkel ligjin dhe mbron kriminelët

Shqipëria

Basha: Për para dhe pushtet, Edi Rama shkel ligjin dhe mbron kriminelët

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 13:09
Foto nga aktivi i Mirdites

Në aktivin e Mirditës, Lulzim Basha u ndal tek përplasja e policisë së Lezhës dhe Rrëshenit për 4.2 tonët e drogës, të kapura në ish –pularinë e qytetit.

Kjo ngjarje për Lulzim Bashën është dëshmia e kthimit të shtetit në një bandë, e cila  sipas tij përplaset mes veti për pazare droge, ndërsa forcën e ligjit e tregon duke dhunuar të pamundurin, të papunin, të varfërin.

Basha: “U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kap drogën sillen si pulat vetë.”

Në mbi 3 vjet qeverisje, tha kreu i demokratëve, Edi Rama ka treguar se i vetmi shqetësim i tij është pasurimi i tij dhe klientëve të pushtetit dhe fama personale me ekspozita dhe promovime libri.

Basha: “Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vet Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat