Vrasësi i nënë e bijë kërkon lirinë në gjykatë, ja çfarë u tha sot Marjan Rroku gjykatësve

Shqipëria

Vrasësi i nënë e bijë kërkon lirinë në gjykatë, ja çfarë u tha sot Marjan Rroku gjykatësve

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 14:52
Marjan Rroku

Marjan Rroku, ish-shikasi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Alda Canajt dhe nënës së saj Mbarimes, nis një tjetër përballje me drejtësinë shqiptare.

Pasi iu refuzua kërkesa për rigjykim të çështjes, ish-studenti i fizikës bërthamore bëri kërkesën e radhës në Gjykatën e Tiranës, duke këmbëngulur për të dalë në liri, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë, është i pavlefshëm, pasi nuk përmban firmat e tre anëtarëve të trupit gjykues që kanë shqyrtuar çështjen penale ndaj tij.  

Për më shumë se 40 minuta, Rroku paraqiti para gjykatës arsyet e pavlefshmërisë së vendimit dhe për rrjedhojë edhe të urdhrit të ekzekutimit që e mban prapa hekurave. Në sy binte fakti, se Marjan Rroku kishte zgjedhur të mbrohej vetë para gjykatës dhe nuk kishte marrë avokat.

Rroku i tha gjykatës se e kupton sa e vështirë është për një gjykatës të vendosë për një të dënuar me burgim të përjetshëm, në një shoqëri paragjykuese, por teksa kërkonte lirinë citoi shprehjen:

“Drejtësia të vihet në vend, pa qielli lë të çahet”. Prokurori Hysen Keta, tha se kërkesa e Marjan Rrokut duhet të rrëzohet si e pabazuar në prova dhe ligj. Edhe gjykatësi Gerd Hoxha, në përfundim të gjykimit e rrëzoi kërkesën e ish-shikasit, si të pabazuar dhe i shpjegoj të dënuarit me burgim të perjetshëm, se kërkesa e tij është bërë jashtë çdo afati.

Gjithashtu gjykatësi sqaroi se vendimi me  shkrim dore që ndodhet në dosjen gjyqësore, mban firmat e tre gjykatësve. Marjan Rroku është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e dyfishtë para pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.

Ai është dënuar përjetësisht në mungesë. Gjatë vite më parë, u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas një beteje thuajse më shume së 3 vjeçare kundër ekstradimit, u soll me pranga në duar në Shqipëri. Aktualisht vuan dënimin në burgun e Fushë Krujës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat