Ankohet Gjykata Kushtetuese: Qeveria refuzoi takimin me ne për buxhetin e ri

Shqipëria

Ankohet Gjykata Kushtetuese: Qeveria refuzoi takimin me ne për buxhetin e ri

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 08:48
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor janë ankuar dje në Komisionin e Ligjeve se u janë ulur buxhetet në krahasim me një vit më parë.

Madje, sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Osmani, tha dje para ligjvënësve se ky institucion nuk është pritur nga Ministria e Financave dhe se ka ndërprerë kontaktet për të diskutuar buxhetin e vitit 2017. Osmani tha dje se problem mbetet ulja e fondit të pagave.

“Probleme kanë dalë me projektligjin e vitit 2017, ku për Gjykatën Kushtetuese në tavanet e buxhetit kanë qenë të parashikuara 116 milionë lekë, janë dhënë 114, ose 2 për qind më pak. E fillojmë nga struktura, kërkuam dy vjet një shtesë për dy punonjës, nuk arrijmë ta marrim dhe kemi ngelur po me ato shifra. Një problem tjetër që kemi është ulja e fondit të pagave. Për ministrin e Financave kemi disa rezerva të vogla, pasi kemi vajtur në takimet përkatëse që organizohen me të gjitha institucionet dhe nuk jemi pritur, sepse na kanë thënë që do flasim më vonë me ju dhe s’kemi arritur të vendosim kontakte për të diskutuar këto shifra”, tha dje sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtari i Gjykatës Kushtetuese kërkoi më tej një shtesë fondesh prej 6 milionë lekësh për blerjen e një autoveture, po ashtu ndërtimin e një biblioteke dhe blerjen e një gjeneratori të ri për institucionin.

“Ne kemi planifikuar blerjen e një autoveture, meqenëse këto shkaktojnë pak reaksion te Ministria e Financave. Për këtë duhen 6 milionë lekë, për një autoveturë dhe një gjenerator që kemi pothuajse 7 vjet që e kërkojmë, sepse krijohen probleme me punën e përditshme”, tha Osmani.

Drejtoresha e buxhetit, Mimoza Dhëmbi, u shpreh se fondet e parashikuara nuk krijojnë asnjë pengesë në kryerjen e funksioneve. Ndërkohë që Fatmir Xhafaj u shpreh se kërkesat do të merren parasysh nga relatori i buxhetit. Ai tha se fondet për blerjen e makinave nuk janë prioritet, pasi Gjykata Kushtetuese nuk ka numrin e plotë të gjyqtarëve.

“Kam përshtypjen se nuk është prioritet për momentin, meqenëse edhe numrin e gjyqtarëve nuk e keni të plotë. Çështja e bibliotekës dhe informatizimit besoj do të jenë pjesë argumenteve të relatorit”, tha Xhafaj.

SISTEMI GJYQËSOR

Edhe përfaqësuesja e gjykatave, Luljeta Laze, u shpreh se buxheti i këtij institucioni është reduktuar në krahasim me vitin 2016. Laze kërkoi që buxhetit të Gjyqësorit t’i shtohet një fond prej 60 milionë lekësh për të përballuar funksionet normale.

“Shpenzimet e personelit sivjet janë shkurtuar dhe ne do të kërkonim që çdo zë të merrte nivelin që i takon dhe sipas shpenzimeve që janë kryer dhe shpenzimet operative të jenë në nivelin e vitit 2016, minimalisht. Dhe kërkojmë 60 milionë lekë shtesë nga ajo çfarë është parashikuar këtu. Kjo sjell një sërë vështirësish për gjykatën, nëse nuk i ka këto fonde që në fillim, pavarësisht rialokimeve që mund të bëhen. Nuk mund të mungojnë në gjykatë letra, tonera apo me radhë, apo të pritet deri sa të vijë koha që mund të bëjmë prokurime. Kjo nuk mund të ndodhë. Një shpenzim goxha të madh zë ruajtja e objekteve pas orarit të punës dhe ditën e pushimeve dhe të festave. E kemi parashtruar disa herë, se do të ishte mirë që ruajtja të bëhej nga Policia e Shtetit”, tha dje Laze.

Kurse drejtoresha e buxhetit, Mimoza Dhëmbi, u shpreh se Gjyqësori është në prag të reformës, ndaj dhe fondet janë vetëm për të mundësuar ekzistencën normale.

“Kemi fonde për të mbyllur investimet që kemi në proces, por të mos nisim gjëra të reja, sepse reformën e kemi në prag dhe mund të kemi nevojë për fonde mbi këto dhe jo nga ky buxhet. Ky është një buxhet i ekzistencës normale, pa asnjë shqetësim”, tha dje Dhëmbi.

Ndërsa Fatmir Xhafaj u shpreh se për Reformën në Drejtësi është parashikuar një fond prej 500 milionë lekësh dhe 250 punonjësh të rinj rezervë për t’u shtuar.

“Buxheti ka parashikuar rreth 500 milionë lekë me të drejtën që të marrë të tjera fonde nga kontigjenca, nëse do të jetë e nevojshme, pa përfshirë donacionet ndërkombëtare dhe një numër prej 250 punonjësish shtesë për të gjithë piramidën”, tha dje Xhafaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat