Meta: Koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike

Shqipëria

Meta: Koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike

Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 16:15
Kryeparlamentari Ilir Meta në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë

“Për ne shqiptarët është bekim fakti që fokusi dhe prezenca e Gjermanisë në rajon po rriten shumë”, deklaroi sot kryeparlamentari Ilir Meta në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë në Baden-Baden

Sipas njoftimit zyrtar, Meta dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj ishin të ftuarit e nderit në konferencën vjetore, që mbledh pronarët e kompanive më të mëdha familjare gjermane në Baden-Baden, ku ofruan një ekspoze të gjerë të zhvillimit dhe potencialeve ekonomike të Shqipërisë pranë disa prej investitorëve më të rëndësishëm gjermane.

Meta nënvizoi se Shqipëria mirëpret investimet gjermane dhe Kuvendi është i përkushtuar në forcimin e kuadrit ligjor dhe avancimin me reformat kyçe si ajo në sistemin e drejtësisë, e cila i shërben konsolidimit të klimës së investimeve të huaja dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.

“Besoj që kjo është koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit. Ne duhet të shqyrtojmë çdo mundësi për të krijuar biznese dhe për të tërhequr kompanitë gjermane në vendin tonë, në të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha Meta.

Ai shtoi se ne duhet të mësojmë nga kultura gjermane e punës, menaxhimit dhe disiplinës dhe mbi të gjitha të frymëzojmë një brez të ri të liderëve tanë të rinj se “modeli gjerman” nesër mund të jetë një realitet dhe në Shqipëri.

Duke folur për burimet natyrore të Shqipërisë,  Meta përmendi disa investime të mëdha në drejtim të energjisë së rinovueshme, ndërsa shtoi se në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri.

Ndërsa, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri një prezantim të bilancit ekonomik e financiar të Shqipërisë ku mes të tjerash vuri në dukje se stabiliteti makro-ekonomik dhe reformat strukturore që po ndërmerren në Shqipëri, e bëjnë vendin shumë më atraktiv për investitorët e huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat