Mesazhi i Bashës për diasporën: Ndryshimi dhe përparimi i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa ju

Shqipëria

Mesazhi i Bashës për diasporën: Ndryshimi dhe përparimi i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa ju

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 15:44
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ju drejtua me një mesazh Samitit të Diasporës që po zhvillon punimet në Tiranë, ndërsa ai vetë nuk ishte pjesëmarrës në çeljen e këtij takimi.

Basha shprehet se e kishte të pamundur të merrte pjesë në mbrëmjen gala, ndërsa thekson se braktisja e Shqipërisë është kërcënimi kryesor ndaj të ardhmes së vendit. Kreu i opozitës thotë se vendi nuk mund të ndryshojë nëse nuk do të ndryshojë politika e tij.

“Shqipëria nuk mund të ndryshojë nëse ne nuk do të ndryshojmë politikën e saj, për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve përmes përfshirjes dhe jo përjashtimit, përmes konkurrencës e pluralizmit dhe jo autokracisë, përmes sundimit të ligjit dhe jo sundimit të drejtuesve, përmes meritës dhe jo klientelizmit, përmes transparencës dhe jo fshehtësisë. Për ta arritur këtë gjë, Shqipëria ka nevojë për ju. Ndryshimi dhe përparimi i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa ju”, citon mesazhi i Bashës.

Duke u ndalur tek kontributi i diasporës, kryetari i PD-së, thotë se investimet e tyre në ekonomi janë të mirëpritura.

Basha shkruan se, “pa asnjë dyshim, çdo lloj kontribut i juaji për atdheun tonë është i vyer dhe i rëndësishëm. Investimet e diasporës në çdo fushë të ekonomisë janë të mirëpritura si ujët e pakët. Burimet dhe mundësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Partia Demokratike ka gati një projekt të ri të stimulimit të investimeve private përmes uljes së taksave dhe çlirimit të sipërmarrjes nga monopolet klienteliste dhe një mori pengesash që ndrydhin lirinë e saj”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat