INSTAT: Vetëm 1% e bizneseve dominojnë ekonominë në Shqipëri

Shqipëria

INSTAT: Vetëm 1% e bizneseve dominojnë ekonominë në Shqipëri

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 20:34
INSTAT

Instituti i Statistikave zbuloi se, gati gjysma e aktivitetit ekonomik në Shqipëri dominohet vetëm nga 1 për qind e bizneseve.

Në anketën e fundit strukturore të ndërmarrjeve, INSTAT raporton se pabarazia nuk ekziston vetëm tek invidivët, por edhe mes bizneseve.

Sipas anketës, vitin e kaluar në Shqipëri ishin mbi 104.5 mijë biznese në total. Por nga këto, vetëm 1.033 korporata faturuan 6.2 miliardë euro, ose 46.2 për qind të shitjeve totale të ekonomisë.

Këta janë “dinosaurët” e ekonomisë shqiptare. Sipas zyrës shtetërore të satistikave, ato japin rreth 40 për qind të punësimit dhe kryejnë pjesën dërrmuese të investimeve në ekonomi.

Por, për disa ekspertë, problemi më i madh i ekonomisë nuk është përqëndrimi i saj te një numër i vogël korporatash, por fakti se Shqipëria ka shumë pak prej tyre.

Aktualisht, 99 për qind e bizneseve në Shqipëri kanë më pak se 50 punonjës dhe ndër to, pjesa dërrmuese janë ndërmarrje që kanë nga 1 deri në 4 punëtorë.

Në total, viti 2015 ka shënuar rritje të shitjeve për të gjitha segmentet e bizneseve. Sipas INSTAT-it, shitjet neto në ekonomi u rritën me 4.7 për qind, ndërsa numri i të punësuarve u zgjerua në ritme dyshifrore me mbi 17 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat