Largimi i opozitës nga Parlamenti, maxhoranca mezi i arrin 71 votat

Shqipëria

Largimi i opozitës nga Parlamenti, maxhoranca mezi i arrin 71 votat

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 08:34
Kuvendi i Shqipërisë

Mungesa e votave në Parlament e detyroi maxhorancën të mos i përmbahet kalendarit 3-javor të punimeve dhe të mos fusë në seancë plenare dekretin e Presidentit për ligjin e mbetjeve.

Konsensusi i munguar brenda maxhorancës, por edhe mungesa e shumë deputetëve në radhët e saj është bërë shkak që për të dytën seancë me radhë, shumica të mos kalojë edhe projektligjin për “Kodin Hekurudhor”, i cili kërkon 84 vota. Pas më shumë se 6 orësh diskutime, përfaqësuesit e maxhorancës me vështirësi arritën të bënin 71 votat për kalimin e projektligjeve që u diskutuan në seancë.

Deputetët e maxhorancës pritën më shumë se 30 minuta, përpara se të fillonin procesin e votimit, kohë e cila mjaftoi që të vinin në seancë dy prej deputetëve të PDIUsë. Më herët opozita bojkotoi seancën plenare për shkak të qëndrimeve që kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, mbajti për ligjin e mbetjeve.

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, deklaroi për mediat se maxhoranca vazhdimisht po krijon skenarë për të përjashtuar deputetët e opozitës nga Parlamenti. “Ky Parlament po del jashtë funksionit. Vazhdimisht hidhen insinuata ndaj opozitës dhe përjashtohen deputetët e saj. Kryeministri vjen dhe vjell një lumë të sharash ndaj opozitës dhe flet për suksese imagjinare, të cilat i ka parë vetëm ai në mendjen e tij, por qytetarët nuk i ndjekin. Për më tepër me fjalën e fundit të kryetarit të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese u deklarua që maxhoranca qëndron në po ato pozita që ligji për mbetjet qenka i fjalës së fundit në përputhje me direktivat e BE dhe ata do të vazhdojnë të procedojnë në këtë rrugë. Në shenjë proteste ne vendosëm të largohemi nga punimet e seancës së Parlamentit”, tha Spaho.

Sipas nënkryetarit të PD-së, shumica gjatë seancës së djeshme shkeli kalendarin e punimeve, duke mos futur në seancë dekretin e Presidentit për ligjin e mbetjeve.

“Në rendin e ditës, nëse do t’i referohemi kalendarit, në datën 24 ka qenë për t’u shqyrtuar dekreti i Presidentit. Në mënyrë të parregullt, në kundërshtim me rregulloren në mënyrë të njëanshme, maxhoranca e tërhoqi nga rendi i ditës, duke bërë lojën e të paditurit. Dekreti ishte për t’u shqyrtuar dhe ne duhej të votonim”, sqaroi Spaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat