Ligji i ri, kufizohet periudha e stabilitetit fiskal për kompanitë e naftës

Shqipëria

Ligji i ri, kufizohet periudha e stabilitetit fiskal për kompanitë e naftës

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 19:29
Ilustrim

Me propozim të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe dërguar në Parlament projektligjin për ndryshime në legjislacionin bazë të hidrokarbureve kërkimi dhe prodhimi.
 
Pr.ligji synon të përmirësojë  disa klauzolave të ligjit ekzistuese që kanë të bëjnë me përcaktimin e proçedurave që duhet të ndiqen për lidhjen e Marrëveshjeve Hidrokarbure për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, duke përfshirë si kusht edhe garantimin e sigurisë kombëtare në rastin e lidhjes apo transferimin e kuotave të Marrëveshjes Hidrokarbure.
 
Gjithashtu, është realizuar ndarja më e qartë e afateve kohore që përfshihen në periudhën e kërkimit me atë të vlerësimit të një zbulimi. Ndërsa ka disa shtesa që lidhen me ndryshimin e konceptit të klauzolave të stabilitetit të regjimit fiskal, duke futur kufizueshmëri në kohë, e cila nuk duhet të tejkalojë afatin 12 vjet nga fillimi i prodhimit te hidrokarbureve dhe përjashtimi nga ky regjim e disa rasteve.
 
Shtesa janë bërë me qëllim angazhimin për ringritjen e Institutit shkencor të hidrokarbureve dhe ripërcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të Drejtorisë Hidrokarbure që aktualisht është pjesës përbërëse e AKBN, e lidhur ngushtë me ato të Institutit shkencor të hidrokarbureve.
 
Me këtë projektligj parashikohet krijimi i Institutit shkencor të hidrokarbureve, i cili do të mundësojë rritjen e kompetencës teknike dhe shkencore të Palës Shqiptare në industrinë hidrokarbure në përgjithësi dhe sidomos në aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, duke garantuar ndërtimin e politikave të tilla, të cilat do të rrisin efektivitetin dhe eficencën e shfrytëzimit të vendburimeve hidrokarbure të cilat sikundër dihet janë shteruese, jo të rinovueshme, dhe strategjike për zhvillimin ekonomik, dhe jo vetëm, të vendit.
 
Për këtë arsye do të behet edhe një riorientim i kompetencave dhe detyrave të AKBN që lidhen me aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, e cila do të përqendrohet më shumë në monitorimin dhe ndjekjen e operacioneve hidrokarbure.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat