Flet Gentiana Sula: Çfarë ndodh me hapjen e dosjeve të ish-regjimit

Shqipëria

Flet Gentiana Sula: Çfarë ndodh me hapjen e dosjeve të ish-regjimit

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 10:56
Kryetarja e sapozgjedhur e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Gentiana Sula

Kryetarja e sapozgjedhur e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Gentiana Sula, tha se institucioni i ri do të bëjë gjithçka është e mundur, që t’u sjellë viktimave të Sigurimit të Shtetit dinjitetin e nëpërkëmbur ndër disa dekada.

Zonja Sula thotë se pas një rehabilitimi financiar dhe shëndetësor, ish-të dënuarit e regjimit komunist mund të kenë tani edhe një rehabilitim shpirtëror për vuajtjet e rënda që pësuan nga përndjekja e diktaturës.

Autoriteti i Hapjes së Dosjeve do t’u sigurojë të interesuarve informacion mbi përndjekjen e tyre gjatë diktaturës mbi bazën e dokumenteve të ish-Sigurimit famëkeq të shtetit. Kryetarja e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve deklaron në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se të dënuarit mund edhe të hapin procese gjyqësore ndaj persekutorëve të tyre.

Sipas saj, mbetet në dorën e vetë personave ajo që do të bëjnë me materialin që do t’u vihet në dispozicion.

Por, sipas Sulës, pjesa më e madhe e të dënuarve e dinë se kush janë persekutorët dhe ata që i kanë dënuar. Pikërisht për këtë fakt, Sula nuk beson se procesi i hapjes së dosjeve mund të çojë në hakmarrje personale të individëve të ndryshëm.

INTERVISTA

Keni marrë përsipër të ndriçoni ngjarje të fshehta dhe të dhunshme të diktaturës. Cila është ideja juaj e parë, bazuar te ligji, për ta nisur këtë detyrë?

Grupi më i zëshëm i shoqërisë, që bënte thirrje për transparencë, është pjesa që e ka përjetuar më egër, por e gjithë shoqëria është shumë e ndjeshme për këtë çështje dhe nga përvoja personale me dëmshpërblimet, e kam të qartë, se çfarëdo që kemi bërë, çështjet që kishin të bënin me të kaluarën, sidomos emri i Sigurimit, ngjall një reagim të menjëhershëm.

Ndaj tij ekziston ende një frikë në mendjet e njerëzve. Mendoj se është e pafalshme që një shoqëri demokratike të pranojë që një segment i shtetit të ngjallë akoma aq shumë frikë te qytetarët e vet. Një shoqëri demokratike ka detyrimin e vet që të japë informacion mbi informacionet që shteti mbledh për qytetarët e vet.

Natyrisht që ka edhe informacione të karakterit sekret, por në bazë të të gjitha normave të shtetit demokratik të sanksionuara në konventat më të mira, qoftë të të drejtave të njeriut dhe të drejtën për informim, ka një kohë në të cilën shteti u jep llogari qytetarëve të vet për veprimet që ka bërë, nëse ka pasur dyshime, të drejta apo jo. Për të gjitha veprimet që ka bërë është një kohë kur shteti përballet me qytetarët.

Për shqiptarët shteti nuk e kishte dhënë këtë të drejtë për informim, që buron nga e drejta e njerëzve për të ditur dhe për këtë arsye jemi këtu ku jemi.

Ju thoni se nëpër dosje ka të dhëna personale. Por një pjesë e shoqërisë janë të shqetësuar se deri sot nuk është ruajtur privatësia e viktimave, por është ruajtur privatë- sia e persekutorëve. Si do ta trajtoni ju këtë gjë?

Ligji i ri u jep mundësinë të gjithë personave të survejuar dhe të dëmtuar nga Sigurimi që të njihen me dosjen e tyre personale dhe nëpërmjet kësaj, ata të mund të shkojnë në burimin e aktivitetit represiv që ka ushtruar institucioni ndaj tyre, duke njohur edhe karakteret që kanë marrë pjesë në këtë “lojë” apo në këtë “film”, që është luajtur me jetët e tyre.

Sa informacion mund të marrin personat e interesuar përmes Autoritetit tuaj?

Nuk ka ndonjë mister për këtë. Si edhe në vendet e tjera, ekspertët që kemi kontaktuar thonë që klasifikimi i dokumenteve në arkivat e Sigurimit është shumë i ngjashëm me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, buruar nga modeli i shërbimeve sekrete ruse. Çdo individ ka një dosje të vetën, dhe vetëm ky person ka të drejtë ta shohë dosjen e tij, pasi bën kërkesën pranë Autoritetit, nëse ky person nuk është zyrtar publik i niveleve të caktuara nga ligji.

Autoriteti, nëpërmjet personelit që ka, bën pastrimin nga elemente informacioni për persona të tretë. Aty do të dalë me pseudonim personi që ka pasur një rol në survejimin e këtij personi dhe në bazë të dëshirës së qytetarit për të shkuar më thellë dhe arsyeve që ai do të shprehë, varet se për çfarë është i interesuar.

A mund të hapë i dënuari tani një gjyq ndaj persekutorëve të tij me të dhënat që merr nga ju zyrtarisht?

Ky është një informacion shtesë, që atij i shërben për të rindërtuar historinë e tij personale, krahas shumë informacioneve të tjera që ka. Mbetet për t’u parë dhe është vendim i tij pastaj se si mund ta përdorë. Dikush mund ta publikojë informacionin, dikush mund ta mbajë për vete, dikush mund t’ua tregojë fëmijëve, dikush mund të qartësohet për historinë e jetës së tij.

Besoj se edhe për të hapur një gjyq është e drejtë e kujtdo, sepse njerëzit janë etiketuar si armiq, sabotatorë, terroristë, tradhtarë etj. Rehabilitimin moral ai do ta kërkojë.

E dyta, mundet të ketë pasur vuajtje tek e ashtuquajtura hetuesi, për të cilën nuk ka pasur dokumentim dhe nuk ka marrë as dëmshpërblim, mund ta përdorë informacionin për të vërtetuar përndjekjen.

Njerëzit mund të kenë qëllime të ndryshme, por mundet edhe të sqarojë pozicionet e veta para familjarëve të vet, ai vetë të qartësohet në raport me ngjarjet që i kanë ndodhur në jetën e tij.

Të dhënat mundet të përdoren për qëllime nga më të ndryshmet. Dikush mund edhe të kërkojë të shfajësohet nga një akuzë, për të cilën i është bërë shantazh.

Kushdo mund të vijë e të kërkojë informacione të mëtejshme për një larmi ngjarjesh dhe detajesh për të sqaruar pozicionin e vet para publikut.

A mund të nisin hakmarrje, bazuar në këto të dhëna të reja?

Mendoj që jo. Këto 25 vjet unë kam pasur kontakte të shpeshta me grupime të ish-të përndjekurve, sidomos 3 vjetët e fundit. Ata i dinë se si kanë ndodhur ngjarjet në pjesën më të madhe, janë përballur me dëshmitarët, me gjyqtarët, me hetuesit.

Në Shqipëri dhe në Europën Lindore është fakt që nuk kanë ndodhur gjeste të hakmarrjeve personale. Një gjë është e vërtetë, sa i takon qasjes së këtij ligji: ai mban në qendër të vëmendjes personat e dëmtuar. Autoriteti u jep atyre një instrument më shumë që ata të rehabilitojnë figurën.

Kjo është edhe një kërkesë për reflektim ndaj personave që kanë qenë pjesë e makinerisë represive. Ato duhet të reflektojnë për veprimet, qoftë edhe në kontekstin e kohës, apo të rrethanave të jashtëzakonshme, ku çdo gjë ka ndodhur. Ka pasur edhe rekrutime nën dhunë, në presion. Gjithë familja mbahej peng nga lufta e klasave.

A keni edhe ju shqetësimin, si shumë të tjerë, se kjo procedurë e re, në vend që të njollosë sigurimsat, mund të njollosë viktimat e përndjekura, që mund të jenë rekrutuar nën presion dhe dhunë?

Qasja e dosjeve nuk do të përqendrohet te karakteret, te personazhet sesa te fenomenologjia.

Ne e kemi vënë theksin te historianët dhe gazetarët, sepse ata do të jenë shumë të specializuar dhe do t’i ndihmojmë me trajnime me ekspertë ndërkombëtarë, madje ata do të pajisen shumë mirë për të bërë saktë fenomenologjinë.

Ambicia ime është hapja e një dialogu më të mirë mbi historinë, për identitetin tonë të grupit, për të përmirësuar narrativën e komunizmit drejt të vërtetës.

Si do ta trajtoni ju çështjen e dëmtimit të dokumentacionit në vitet 1991 dhe 1997?

Shqipëria nuk është vendi i parë, ku ka pasur episode të shkatërrimit të dokumenteve. Qeverive dhe shteteve represive, si çdo diktaturë, u vjen një ditë fundi, dhe të tmerruara nga ato që kanë bërë, mundohen të prishin gjurmët e veta.

Në Gjermani, për shembull, STAS-i ndezi furra për të djegur dokumentet dhe kur panë tymin, qytetarët u mblodhën masivisht te dyert e STAS-it me parullat: Na ktheni jetët tona”.

Në Shqipëri nuk ka pasur një lëvizje të tillë dhe sigurisht ka pasur edhe shkatërrime. Personalitete të ndryshme kanë folur në media për këto dëmtime.

Detyra jonë është që t’i mbledhim çfarë mund të mblidhet, të rregullojmë çfarë mund të rregullohet, sepse nuk ka shtet pa arkiva.

Arkiva është shtylla kurrizore e një shteti. Autoriteti do të japë edhe një shembull të mbajtjes së një arkivi mirë, një ambicie e jona kjo, në varësi edhe të financave që do të kemi, ta bëjmë si duhet, ta dixhitalizojmë dhe ta japim te publiku në mënyrë sa më moderne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat