Shtetet e Vishegradit, Bushati lobim për çeljen e negociatave

Shqipëria

Shtetet e Vishegradit, Bushati lobim për çeljen e negociatave

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 09:48
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati

Vendet e Vishegradit mbështesin integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mori pjesë në konferencën vjetore të vendeve të Vishegradit, ku përfshihen Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia dhe ato të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Varshavë. Në takim ishte e pranishme dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini. Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së, në mënyrë më specifike për vendin tonë, vendet e grupit të Vishegradit mirëpritën rekomandimin e komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe shprehën mbështetjen për caktimin sa më shpejt të një date për fillimin zyrtar të negociatave.

Ata vlerësuan progresin e Shqipërisë, sidomos për reformën e sistemit të drejtësisë, dhe kërkuan që ky progres të reflektohet qartë në konkluzionet e Këshillit të BE-së në dhjetor. Duke u ndalur në rrugëtimin evropian të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishëm rolin e vendeve të Vishegradit dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Në fjalën e tij, Ministri u ndal mbi rëndësinë e vijimit të axhendës së zgjerimit si një element thelbësor për rajonin tonë por edhe për vetë BE-në. Duke informuar mbi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, Ministri Bushati theksoi se “zbatimi i ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është hapi kyç për të vijuar me vendosmëri në procesin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian".

Ministri Bushati nënvizoi se “procesi i zgjerimit të BE është një proces teknik që ka të bëjë me përmbushje kushtesh specifike, por ai duhet të ketë dhe një frymë politike, e cila po i mungon. Kjo frymë politike është e domosdoshme në këtë periudhë sfidash sigurie, si për BE ashtu edhe për rajonin”. Ky takim ka shërbyer dhe si një mundësi që kryediplomati shqiptar të lobojë me shtetet anëtare të Unionit, pasi siç dihet, në dhjetor pritet të mblidhen Këshilli i BE-së, i përbërë nga kryeministrat e shteteve anëtare. Këtu pritet të merret dhe vendimi për çeljen ose jo të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat