Zgjidhet ngërçi, brenda 60 ditëve Rruga e Kombit bëhet me pagesë

Shqipëria

Zgjidhet ngërçi, brenda 60 ditëve Rruga e Kombit bëhet me pagesë

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 15:32
Rruga e Kombit

Agjencia e Prokurimit Publik zhbllokoi sot koncesionin për rrugën e Kombit ku makinat e vogla do të tariforen me 5 euro.

Në një njoftonim të publikuar në buletinin e radhës APP i kërkon konsorciumit Catalyst thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetaret do të thotë se rruga do të bëhet me pagese.

Catalyst brenda 7 ditëve duhet të dorëzojë ne Ministrisë së Transportit, pranimin e njoftimit të ofertuesit të zgjedhur, dukë rënë dakord të pajtohet me kushtet e përcaktuara dhe të ekzekutojë marrëveshjen e koncesionit.  Nëse Catalyst  refuzon koncesionin brenda 30 ditëve nga data e sotshme duhet të paguajë tarifën 20,000 euro.

Me 30 maj 2016 Komisioni i Vlerësimit të ofertave në Ministrinë e Transportit hapi ofertat për dhënien me koncesion të rrugës së Kombit.

Ofertuesit ishin, Catalyst në pjesë te së cilës ishin kompanitë shqiptare, Salillari dhe Kastrati dhe kompania turke Vendeka.

Me 29 gusht Komisioni i prokurimit Publik vendosi të skualifikojë konsorciumin vendeta dhe të parakualifikojë Catalyst si dhe ta përcaktojë atë si ofertuesin e preferuar. Duke ju referuar kësaj procedure, ministria e Transportit , njoftoi konsorciumin Catalyst se oferta në lidhjen me koncesionin e rrugës së Kombit  është pranuar.

Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë..

Kushti i pazbardhur tërësisht nga Ministria e Transporteve është pjesë e ofertës së koncesionit. Për shkak se Rruga e Kombit nuk përcakton kriterin e trafikut, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim, periudhë në të cilën pritet që trafiku të arrijë nivelin e maturimit. Gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë ndërmjet 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese.

Kur Ministria e Transporteve shpalli fituesin e koncesionit koncorciumin e përfaqësuar nga kompania turke Vendeka, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro. Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga “Catalyst Viva Das General Constructing LLC” ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do paguhej ky subvencion. (Transportet shpallin turqit të preferuar për koncesionin e Rrugës së Kombit)

Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues duke lënë  fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë Catalyst, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.

Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e Kombit, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by-paseve.

Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat