Ambasadori Borchardt: Në 2017 duhet aksion kundër një krimi tjetër

Shqipëria

Ambasadori Borchardt: Në 2017 duhet aksion kundër një krimi tjetër

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 11:00
Ambasadori Bernd Borchardt

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, ka deklaruar sot se Shqipëria duhet të nisë në 2017-ën, një aksion kundër një tjetër lloj krimi, jo kundër jetës dhe pasurisë, por krimit ndaj mjedisit.

Borchsrdt tha se "Shqipëria ka liqene, lumenj, një vijë bregdetare dhe peizazhe magjepsëse. Këto burime natyrore janë jetësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe për shëndetin e mirëqenien e qytetarëve të saj," në fjalën që mbajti në Konferencën e Grupit Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor.

Sipas ambasadorit, "krimi mjedisor kërcënon burimet natyrore të Shqipërisë dhe është pengesë në rrugën e saj drejt një ekonomie burimesh efiçente e me një rritje dhe punësim të sigurt. Kjo situatë përbën një rrezik madhor, degradon burimet natyrore dhe rrit ndotjen me të gjitha pasojat e saj social-ekonomike. 

Grupi Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor me përfshirjen e shumë agjencive ka potencialin që të luajë një rol kritik në përballimin e sfidave të mëdha që dalin përpara. Krijimi i tij bazohet në faktin se aktivitetet kriminale kanë ndikim domethënës te mjedisi, ekonomia dhe komuniteti në Shqipëri dhe se mënyra më efikase për të luftuar krimin mjedisor është përmes partneritetit ndërmjet të gjithë aktorëve përkatës. Megjithatë, arritjet konkrete varen nga zbatimi i një plani veprimi të Strategjisë për periudhën 2015-2020.

Ekziston tashmë një lloj mirëkuptimi për hartimin e një plani veprimi vjetor për identifikimin dhe kryerjen e hetimeve për shkeljet mjedisore në vend. Pas përgatitjesh të konsiderueshme, 2017-a duhet të bëhet vit aksioni kundër krimit mjedisor, ' theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat