“Zhdukja” e shefit të EURALIUS dhe përkthimi gabimi i Vetting-ut

Shqipëria

“Zhdukja” e shefit të EURALIUS dhe përkthimi gabimi i Vetting-ut

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 09:09
Rainer Deville

Të panjohurës së përkthimit me gabime me (pa)dashje të ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i shtohet dhe “largimi” misterioz nga Tirana i shefit të EURALIUS në vendin tonë, Rainer Deville. Mësohet se Deville është larguar me urgjencë nga Shqipëria rreth një javë më parë. Burime jo zyrtare bënë të ditur se ai është thirrur nga shefat e tij gjermanë në Bruksel, ndërsa flitet dhe për një shkarkim të Deville nga detyra që mban. “Zoti Deville para një jave është larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë. Kemi informacione se ai është shkarkuar nga detyra që mbante në Tiranë”, thanë burimet.

Ndërkohë zyra EURALIUS në Tiranë konfirmoi për gazetën “Shekulli” se Deville nuk ndodhet në Tiranë, por ata sqarojnë se nuk kanë informacione për një shkarkim të mundshëm të shefit të misionit. “Është e vërtetë që zoti Deville prej disa ditësh ka shkuar jashtë me pushime, ndërsa nuk kam hollësi për çështjen që më pyesni ju. Madje zërat për një shkarkim të mundshëm të zotit Deville për herë të parë po e dëgjoj nga ju.

Jam i habitur për këto që thoni ju, sepse për aq sa dimë ne, zoti Deville ka marrë lejen e zakonshme dhe ka shkuar jashtë shtetit për pushime. Gjithsesi unë do të mundohem t’ju lidh me personin përgjegjës, sapo të komunikoj, do t’ju njoftoj. Do të doja nga ju që të mos publikonit asgjë në lidhje me këtë çështje derisa t’ju japin një përgjigje zyrtare”, tha zyra e shefit të EURALIUS në Tiranë interesimit të gazetës.

Kush është Deville?

Deville e mbaronte zyrtarisht mandatin e tij si Shef i misionit EURALIUS në Gusht të vitit 2017. Rainer Deville dhe misioni që ai drejtonte ka pasur rol të dorës së parë në procesin e reformës në drejtësi. Zoti Deville u bë objekt debatesh kur u citua në media duke thënë se reforma në drejtësi do të sillte si rezultat largimin e 400 prokurorëve dhe 400 gjyqtarëve. I gjendur ngushtë nga buja e deklaratës së tij, më vonë ai tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar. Deville cilësohej nën zë nga opozita si një burokrat i BE-së që ka mbështetur synimet e kryeministrit Rama për reformën në drejtësi. Misioni EURALIUS është një entitet i Bashkimit Europian, i cili ndihmon Shqipërinë në jurisprudencë, për reformat ligjore dhe kushtetuese.

Dyshimet

Këtë javë Gjykata Kushtetuese dërgoi për të dytën herë në Venecia një version të përkthyer me korrektime të ligjit për Vetting-un. Versioni i parë i këtij ligji u gjet me gabime në përkthim. Gjykata Kushtetuese pohoi se versioni i parë ishte marrë nga publikimet zyrtare të misionit EURALIUS. Pezullimi i gjermanit Deville vjen në të njëjtën kohë kur kreu i grupit parlamentar gjerman të CDU-së shigjetoi ashpër qeverinë Rama. Tashmë është provuar zyrtarisht se misioni që asiston vendin tonë në Konsolidimin e Sistemit të Drejtësisë është autori i përkthimit të gabuar të ligjit të Vettingu-t që i është dërguar Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese. Ekspertë të njohur të jurisprudencës dyshojnë se përkthimi i gabuar ka qenë i qëllimshëm. Kjo për faktin se EURALIUS është hartues i ligjit të Vetting-ut dhe mbështetës i fortë i tij. Dhe sipas ekspertëve, me tjetërsimin e tekstit në anglisht, ky mision ka synuar që të marrë një përgjigje pozitive nga Komisioni i Venecias, duke e manipuluar këtë institucion me reputacion ndërkombëtar.

Kjo tentativë, sipas zërave pranë opozitës, cilësohet si një akt i rëndë dhe i paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Ata shtojnë se në këtë mënyrë, EURALIUS, i ftuar që të ndihmojë në reformimin e Sistemit të Drejtësisë, në vend që ta përmirësojë, e ka nxirë imazhin e Shqipërisë, duke e turpëruar si para Komisionit të Venecias ashtu edhe në sytë e Bashkimit Europian. Ndërkohë dy ditë më parë dhe kryetari i Gjykatës, Bashkim Dedja, e ka konfirmuar këtë fakt, ashtu si edhe ekzistencën e pasaktësive në variantin anglisht të ligjit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ka pranuar se varianti anglisht i ligjit të Vetting-ut, që i është dërguar Komisionit të Venecias për opinion, ka pasur gabime. Ndërsa opozita flet për ndryshime thelbësore të ligjit në variantin e përkthyer nga EURALIUS, vetë zyra e EURALIUS nuk ka bërë asnjë reagim për këtë akuzë të rëndë. Në këto kushte, askush nuk di të thotë nëse gabimet në përkthim kanë qenë të qëllimshme për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias apo paaftësi e përkthyesve.

Venecia jep opinionin më 7 dhjetor

Draftin final i dërguar në Komisionin e Venecias do të mbyllet në 7 dhjetor, i cili më pas i përcillet ambasadorëve të unionit të atashuar në Bruksel. Ky opinion merret parasysh për vendimin e Këshillit Europian për negociatat për Shqipërinë, pavarësisht se çfarë vendos dhe kur mblidhet Gjykata Kushtetuese. Mësohet se palëve shqiptare zyrtarisht i vihet në dispozicion opinioni final në datën 9 dhjetor dhe më pas duhet të mblidhet Gjykata Kushtetuese. Ndërsa mësohet se mbledhje paraprake e komisionit të Venecias është bërë që në datën 25 nëntor. Dy ditë më parë Gjykata Kushtetuese dërgoi në Komisionin e Venecias variantin e dytë të Vettingut, të përkthyer në rregull. Ndërkohë tashmë ka hyrë në fuqi ligji “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, por duke ngritur një pikëpyetje për zbatimin e tij. Që nga kjo e martë ligji në fjalë e decentralizon prokurorinë duke i kthyer prokurorët, nga hallka e parë e një institucioni me hierarki të centralizuar, në të plotfuqishëm si gjatë hetimit paraprak edhe gjatë përfaqësimit të akuzës në gjykatë.

Vetting-u, zbulohet dokumenti që EURALIUS përktheu ndryshe

EURALIUS nuk ka ndryshuar vetëm përmbajtjen e ligjit të Vetingut në variantin në anglisht, por edhe atë të ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut. Në nenin B të kushtetutës, në variantin shqip thuhet se Operacioni ndërkombëtar e monitorimit i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidateve për pozicionin e anëtarit të komisionit, gjyqtarit te kolegjit të apelimit dhe komisionerit publik. Ne variantin anglisht të EURALIUS, i shtohet pjesa, “sipas atyre që parashikon ligji”.

Por kjo shtesë, e shtuar në kushtetutën në anglisht, të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, sipas opozitës, i jep kuptim tjetër nenit. Në nenin C , në variantin shqip thuhet se Komisioni dhe Kolegji i Apelimit publikojnë vendimet e tyre si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm të marrë nga publiku. Në versionin anglisht thuhet se informacionet e nevojshme të marra nga publiku mund të merren në konsideratë. Në ligjin e shumëdiskutuar të Vetingut, në nenin 8 në variantin shqip thuhet se Lista për votim përmban kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale, përveç atyre që nuk janë rekomanduar nga operacioni ndërkombëtar i monitorimi.

Në variantin anglisht të Euralius, thuhet “përveç atyre që janë rekomanduar”. Pra është hequr fjala Nuk, çka i jep tërësisht tjetër kuptim këtij neni. Në nenin 33 në lidhje me hetimin e pasurisë thuhet se ILDKPKI, mund të kërkojë nëpërmjet drejtorisë së përgjithshme të parandalimit të parave ose ministrisë së drejtësisë, dokumente që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta...

Në variantin anglisht kjo fjali është hequr. Në nenin 33 në shqip thuhet se kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta. Në anglisht thuhet sipas provave më të sakta, duke e relativizuar saktësinë e provës. Në nenin 49 procesi penal shndërrohet në proces rivlerësimi, përsa i përket deklaratës së dhënë nga dëshmitari apo eksperti. Në 14 nene të Ventingut dhe tre nene të kushtetues, sipas opozitës, ka ndryshime thelbësore qe tjetërsojnë kuptimin dhe veprimin e ligjit. Për ketë arsye, opozita iu drejtua gjykatës kushtetuese për ta ripërkthyer ligjin dhe për t’ia dërguar serish komisionit te Venecias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat