Rritja e rrogave, Bode: Buxheti, limonadë për shqiptarët

Shqipëria

Rritja e rrogave, Bode: Buxheti, limonadë për shqiptarët

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 09:31
Ridvan Bode

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit për paketën fiskale, ishministri i Financave, Ridvan Bode ka theksuar se e vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri ka qenë asfiksimi i qytetarëve me taksat e rritura, ndërsa buxhetin e quajti karamele dhe limonade elektorale. Kryeministri Rama bëri një radhitje se si do të shpërndahet buxheti, ku sipas tij bie në sy rritja e pagës në administratë dhe pensionet.

Edi Rama: Nivelit të ulët të administratës do t’ia rrisim rrogën 36% dhe do t’u shkojë 370 mijë lekë të vjetra. Nuk mjafton, patjetër që nuk është shumë por s’ka të krahasuar me atë që është sot. Rroga për mësuesit dhe pedagogët do të rritet mesatarisht me 10%. Për mjekët që i lanë si mos më keq 20 e ca vite dhe që sot marrin mesatarisht 690 mijë lekë, do të rritet 780 mijë lekë, mesatarisht 13%. Për infermierët që sot marrin 390 mijë lekë, do të shkojë 450 mijë lekë, do të rritet 15%. Dhe policia do të ketë një rritje të mëtejshme me 10%, duke privilegjuar ata që janë më poshtë, dhe gjithnjë më pak ata që janë më lart. Dhe nuk do ketë asnjë rritje rroge asnjë qindarkë as për mua as për ju. Pamjaftueshmëria është evidente tek pensionet, rriten me 3% , nuk është aspak, vetëm se është e kushtëzuar nga marrëzia e keqqeverisjes së sistemit të pensioneve ndër vite.

Ridvan Bode: Në prag të fushatës elektorale dhe për t’i dhënë një karamele apo limonadë elektorale qoftë pensionistëve, qoftë rrogëtarëve. 95% e shqiptarëve kanë mbajtur barrën e taksave shtesë që kanë paguar në mandatin tuaj 4-vjeçar. Shqiptarëve iu morën 400 milionë dollarë më shumë me faturat e energjisë, me burg e më policë. Kjo është ulja që premtuat në fushatë? Nuk e bëtë naftën pa akcizë për peshkatarët dhe fermerët, sikurse premtuat. Për më tepër, taksën e qarkullimit ia shtuat me 240 lekë të tjera për litër duke e bërë naftën për peshkimin dhe bujqësinë më të shtrenjtën në rajon. Në këto 3 vite e gjysmë shqiptarët kanë paguar 2 miliardë dollarë taksa më shumë, ndërkohë që i gjithë prodhimi i brendshëm bruto është 2.45 miliardë dollarë. Ju keni shterur gjithë prodhimin e brendshëm bruto të vendit. Rritja e pensioneve që pretendon kryeministri Rama është një farsë. Harroni që pjesën dërrmuese të pensionistëve i keni lënë të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve dhe taksave. Zoti kryeministër duhet të jepni llogari sepse u premtove shqiptarëve 300 mijë vende të reja pune. Sot është viti i katërt i mandatit tënd, sa vende të reja pune ke hapur? Përse u rrit papunësia zoti kryeministër, sipas statistikave tuaja.

Arben Ahmetaj: Të njëjtët njerëz që vijnë këtu për herë të tretë në tentativë të dështuar për të rimarrë të drejtën për të falimentuar sërish Shqipërinë e lanë pushtetin me 726 milionë dollarë borxhe nën tryezë. 200 milionë dollarë ishin detyrime të papaguara, 44 milionë dollarë të mohuara ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, 30 milionë dollarë gjoba elektorale, 150 milion euro humbje në vit në sistemin energjetik. Buxheti i ri është buxheti i reformave madhore të Shqipërisë, që ka bërë të mundur kthesën më të madhe në historinë e këtij vendi. Është buxheti i konsumit të qytetarit. Përmes taksës progresive në 4 vite i kemi kthyer mbrapsht 440 milionë dollarë qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat