Basha: Partia Demokratike, forca e ndryshimit

Shqipëria

Basha: Partia Demokratike, forca e ndryshimit

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 11:55
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar sot takime me strukturat e partisë në Delvinë. Nga aty, ai sërish akuzoi qeverinë për gjendjen e mjeruar të sistemit të shëndetësisë dhe situatës ekonomike në vend.

“Në këto 3 vite janë dhënë 1 miliardë dollarë për shëndetësinë, por jo vetëm që nuk është shpenzuar asnjë lek për përmirësimin e shërbimit i cili është përkeqësuar, por paratë kanë shkuar në 2-3 klientë të Edi Ramës”, tha Basha.

“Ndërkohë që Shqipëria po lëngon nga papunësia, nga varfëria, nga padrejtësia dhe po zbrazet nga rinia, nga qytetarët, nga të papunët por edhe nga profesionistët, kur populli është i përmbytur, Edi Rama merr avionin për ekspozitë në Nju-Jork. Sëmundja e dermatozës nodulare bën kërdinë tek fermerët në zona të tëra të Shqipërisë, Edi Rama merr avionin dhe shikon ndeshje sporti. Shqiptarët kërkojnë atë që është e tyrja dhe u takon, kërkojnë Shqipërinë, resurset e Shqipërisë, buxhetin e Shqipërisë të përdoret për shqiptarët, të përdoret për shumicën", shtoi kreu i PD-së.

Partia demokratike, siç thotë Basha, ka qenë gjithnjë prirëse e ndryshimeve në Shqipëri dhe koha për një të tillë ka ardhur sërish. Sipas tij, kurrë Partia Demokratike nuk ka qenë në bisht të ndryshimit, por gjithmonë i ka prirë asaj.

"Ndaj sot jemi mbledhur këtu, jo vetëm për të ndarë dhe diskutuar hallet dhe problemet e përditshme, por edhe rrugët e zgjidhjes që kalojnë përmes platformës tonë të kthimit të pushtetit tek qytetarët, të kthimit të Delvinës tek banorët e Delvinës, të kthimit të Shqipërisë tek shqiptarët. Por po kështu për të vendosur kursin e aksionit tonë politik që do të mundësojë që ky konsensus i madh qytetar të kthehet në një energji politike, të kthehet në një bashkësi të madhe që tejkalon konturet e partisë tonë politike dhe kështu me votë të largojmë qeverinë e pakicës dhe t’ia kthejmë qeverisjen dhe Shqipërinë shumicës, qytetarëve, shqiptarëve. Bashkimi dhe hapja janë në funksion të njohjes së realitetit, të vërtetave të qytetarëve. Atë që nuk e bën Edi Rama, atë që nuk e bën dot ai, ne duhet ta bëjmë me çdo kusht. Ne duhet të njohim realitetin ku jetojnë bashkëqytetarët tanë", theksoi Lulzim Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat