Letra për “Call Center-at”: Po hapim negociatat, na trajtoni si vend i BE

Shqipëria

Letra për “Call Center-at”: Po hapim negociatat, na trajtoni si vend i BE

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 18:50
Call Center

Qeveria shqiptare i ka dërguar një letër zyrtare qeverisë italiane, nëpërmjet Ambasadës në Tiranë, ku i propozon që të rishikojë ligjin për “Call Centerat”. Në këtë letër të siguruar nga Vizion Plus, grupi negociator, evidenton se Shqipëria është një vend kandidat për në Bashkimin Europian, i cili pret të hapë së shpejti negociatat, pas mbështetjes që Italia ka dhënë në këtë proces.

Ndaj pala shqiptarë ka këtë propozim: “Ky ndryshim ligjor vjen ndër të tjera në një kohë kur Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat dhe vendet anëtare të BE-se, me mbështetjen e fortë të Italisë, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Paolo Gentilioni, deklaruan se janë të gatshëm për të filluar negociatat për anëtarësim në muajin dhjetor. Duke qenë të qartë se çdo vend ka të drejtën sovrane të miratojë ligjet e veta dhe nuk është aspak e lehtë të ndërhysh lidhur me to, ne ju kërkojmë që ti ftoni aktorët kryesorë italianë, që të marrin në konsideratë, mundësinë e rishikimit të tekstit të këtij dekreti dhe të propozoni që vendet, të cilat janë në prag të hapjes së negociatave për në BE, të trajtohen nga ky propozim ligjor në të njëjtën mënyrë si vendet e BE”.

Në letrën e saj, qeveria i kujton palës italiane që ky propozim bie ndesh me marrëveshjet e ndryshme bilaterale që kanë dy vendet. Nga ana tjetër, theksohet se nëse ky ligj miratohet, Shqipëria është e vetmja që dëmtohet: “Propozimi i ri ligjor rezulton të jetë në kontrast të thellë me marrëveshjet e ndryshme bilaterale lidhur me Italinë, si psh: Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, si dhe marrëveshje të shumta bilaterale në sektorin e punës dhe investimeve. Dhe në fund për dyvjeçarin 2014-2016 është parashikuar një fond prej 81.7 milion eurosh duke konfirmuar mbështetjen e Italisë për zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë edhe në procesin e integrimin evropian.”

Në Shqipëri operojnë 804 kompani Call Center me 25 mijë të punësuar, pjesa më e madhe e tyre janë kompani italiane. Si pasojë e konkurrencës së fortë që vjen nga vendet jashtë BE, shume italiane kane humbur vendet e punës, pasi kompanitë kanë zhvendosur aktivitetin e tyre. Nisma ligjore në vendin fqinj ka parashikuar masa shtrënguese, çka e bëjnë zhvillimin e këtij biznesi në një vend si Shqipëria, të pamundur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat