Kushtet e Ilir Metës për koalicionin në zgjedhje

Shqipëria

Kushtet e Ilir Metës për koalicionin në zgjedhje

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 07:57
Ilir Meta në Konventën zgjedhore të LSI-së

Konventa e LSI-së, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerëson punën e koalicionit të majtë, por lë pezull vendimin nëse do ta vijojë në të ardhmen bashkëpunimi me Partinë Socialiste. Në fjalën e tij përpara mbështetësve të partisë së tij, Meta theksoi se koalicioni i majtë ka akoma shumë për të dhënë, pasi ka potencial të pazhvilluar. Ndërsa bëri të qartë se LSI-ja i ka qëndruar besnike koalicionit me PS-në. “Ne i kemi parë dhe i shohim vendimet tona për koalicione si një përgjegjësi shumë e madhe, para vendit, qytetarëve dhe natyrisht para anëtarësisë. Ne i kemi qëndruar besnikërisht koalicionit me PS duke qenë bashkëpunues, të hapur, moderuar, konsensual, të drejtë dhe të ndershëm në fjalët dhe veprimet tona; duke pasur si busull interesat, të drejtat dhe detyrimet ndaj qytetarëve të këtij vendi, me një orientim të qartë dhe të palëkundur evropian. Por duhet të ketë një përpjekje të vazhdueshme për të dëgjuar njëri-tjetrin. Për të mësuar nga njëri-tjetri. Për të respektuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët. Pasi aktet ose politikat e njëanshme, të nxituara prodhojnë tensione të panevojshme, jo thjesht brenda koalicionit, por edhe me grupet e interesit.

Unë vlerësoj se koalicioni ynë ka akoma potencial të lartë, por të pashfrytëzuar ende, për të krijuar një sinergji dhe dinamikë më të lartë në plotësimin e premtimeve zgjedhore dhe përballimin e sfidave zhvillimore. Janë shënuar padyshim mjaft arritje, por për mendimin tonë, në asnjë rast nuk ka vend për vetëkënaqësi. Nga marrëveshja rrjedh edhe detyrimi i konsensualitetit për formulimin dhe zbatimin e politikave qeverisëse, parim që në të ardhmen duhet respektuar dhe forcuar më shumë”, tha Meta në fjalimin e tij. Dekriminalizimi dhe zgjedhjet Fjalimi i Metës preku dhe shumë çështje sensitive, si dekriminalizimi, si dhe reforma zgjedhore. Ai u shpreh i vendosur për pastrimin e klasës politike. “Si kryetar i zgjedhur i LSI angazhohem bashkë me ju për të realizuar me përgjegjshmëri maksimale të gjitha detyrimet që vijnë nga ligji i Dekriminalizimit me qëllim që, ai jo vetëm të zbatohet e të përsoset më tej, por as të mos u shkoj mendja dikujt me probleme serioze që të hyjë e të përfaqësojë qytetarët shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë dhe në çdo institucion publik.

Nuk mund të hyjnë më kontrabandë individë të tillë me rekorde kriminale. Dhe jo vetëm kaq, ky nuk është ndonjë sukses i madh, kemi detyrim që në Kuvendin e Shqipërisë të çojmë sa më shumë intelektualë, kemi detyrim që në Kuvendin e Shqipërisë të çojmë sa më shumë të rinj dhe të reja. Të mos çojmë në Kuvendin e Shqipërisë deputetë që kërkojnë tendera, që bëjnë presione dhe shantazhe ndaj qeverisë dhe ndaj ministrave, që shesin mandatet e tyre dhe të qytetarëve. Ky është një detyrim i LSI-së dhe shpresojmë që kështu të sillen të gjithë forcat politike në mënyrë që Kuvendi i ardhshëm, pavarësisht nga përbërja politike, të jetë një Kuvend që të përfaqësojë me dinjitet të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe të mos bëhet më objekt diskutimi dhe demonizimi në Parlamentin Evropian dhe të gjithë institucionet evropiane”, theksoi kryeparlamentari.

Ndërsa u shpreh i vendosur për zbatimin rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it për reformën zgjedhore. “Ne si LSI kemi këto propozime:1. Ndëshkime të rrepta penale për blerjen, shitjen, fotografimin e votës dhe të gjithë mekanizmave të ngjashëm me to. 2. Transparencë të plotë në financimin e partive dhe penalitete të forta përjashtuese për ato parti dhe kandidatë që i shmangen kësaj transparence duke i dhënë përgjigje të qartë ligjore këtij shqetësimi tepër të thellë të shoqërisë shqiptare. 3. Ne kemi propozuar dhe shpresojmë në konsensus për listat e hapura, si mënyra më e drejtë për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të zgjedhin jo vetëm midis partive, por edhe brenda partive kandidatët më të mirë dhe më të denjë”, tha më tej Meta.

Kanabisi, pakt me opozitën 

Në fjalimin e tij 45 minutësh, kryeparlamentari u ndal dhe në çështjet që shqetësojnë vendin si kultivimi i bimëve narkotike, ligji i Mbetjeve, apo dhe së fundmi përplasja që shkaktoi me ligjin e Arsimit me kuotat e universiteteve. Ai hodhi idenë një pakt mes maxhorancës dhe opozitës për luftën ndaj kanabisit. “Ndaj nuk është koha për të çuar në stratosferë konfliktin se kush e ka fajin. Kanabisi nuk është një fenomen i ri, por është një fenomen padiskutim mjaft shqetësues për të cilin duhet një konsensus i gjerë pozitë-opozitë dhe i gjithë shoqërisë për ta luftuar me sukses. Ndaj politika pa vonesë duhet të realizojë një pakt pozitë-opozitë, ashtu sikurse realizoi për reformën në drejtësi, për t’i dhënë fund këtij fenomeni që po dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit për fat të keq gjithashtu. Ndërkohë që më duhet të nënvizoj rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë midis Policisë, Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ, por edhe pushtetit vendor për ta shndërruar në sukses të plotë luftën për çrrënjosjen e këtij fenomeni, jo vetëm nga toka jonë, por nga mendja e gjithsecilit. Edhe në përpjekjet e formalizimit të ekonomisë, ne duhet t’u japin një shans të gjithëve për t’u formalizuar jo vetëm përmes masave ndëshkuese dhe gjobave, por njëkohësisht edhe përmes politikave të mençura të incentivave fiskale dhe të përkujdesjes së shtetit për ta bërë më pak të kushtueshme për qytetarët dhe bizneset të  qenurin e tyre formal”, shtoi kryetari i LSI-së.

Ndryshimi i ligjit të Arsimit

“Ne sot jemi pranë çdo maturanti që për shkak të sistemit aktual të përzgjedhjes në universitetet publike nuk mundi të vazhdojë studimet e larta në degën që dëshironte. Dikush mund të thotë se janë pak të tillë. Për ne, edhe një i ri i vetëm të jetë lënduar në mënyrë të padrejtë mjafton për të reflektuar, për të rivlerësuar dhe për të rishikuar çdo gjë, sepse të rinjtë dhe qytetarët e këtij vendi nuk janë statistika. Ne u premtojmë atyre se do të bëjmë gjithçka për të përmirësuar sistemin aktual dhe për t’u dhënë një shans të gjithëve për t’u bërë pjesë e një sistemi edhe më cilësor parauniversitar dhe universitar, i cili përgatit denjësisht gjeneratat e ardhshme për nevojat e tregut të punës dhe të ekonomisë së dijes. Ne nuk mundet ta lëshojmë veten dhe të pranojmë përshkrimet e sponsorizuara se sistemi ynë arsimor nuk mund të rimëkëmbet nga shteti dhe se duhet t’i dorëzohet tregut privat. Absolutisht kjo është e papranueshme dhe ne do të bëjmë çdo gjë për rritjen e cilësisë së universitetit, atyre publike në mënyrë të veçantë”, tha Meta, duke theksuar nevojën për ndryshimin e ligjit që shkaktoi jo pak kaos sa i përket pranimeve të maturantëve në universitete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat