“Çastet e fundit të Andreas, i bindur se dhe këtë betejë do ta fitonte”

Shqipëria

“Çastet e fundit të Andreas, i bindur se dhe këtë betejë do ta fitonte”

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 08:07
Andrea Stefani

Themeluesi i gazetës “Tema”, Mero Baze në një shkrim në kujtim të Andrea Stefanit, tregon njohjen me gazetarin që u nda sot nga jeta. Baze shkruan se e ka njohur Stefanin në vitet ’90 dhe tregon se, deri në minutën e fundit analisti i njohur nuk ishte dorëzuar.

“Andrea Stefani është larguar nga jeta duke luftuar deri në minutën e fundit. Dje në mëngjes, një miku ynë i përbashkët më tha se operacioni i fundit në Itali, rezultoi pa shpresë dhe i vetmi që vazhdonte të kishte shpresë ishte vetëm Andrea. Edhe ai vetë ndjehej ngushtë, që ishte më i dobët se Andrea në këtë betejë”, shkrua ai.

Baze vijon më tej duke shkruar se, “deri në fund të jetës së tij edhe nga spitali vazhdoi të shkruante pa u kuptuar se vuante nga ajo sëmundje e rëndë. Përveç një rrethi të ngushtë miqsh e shokësh, ai nuk kishte dëshirë ta ndante këtë fat me të gjithë. Ishte i bindur se dhe këtë betejë do ta fitonte. Bile deri dje pasdite mendonte se në një klinikë tjetër në Gjermani, mund t’ia dilte. Më shumë se sa bindje, ishte një shpresë që vinte nga formimi i tij i njeriut të padorëzueshëm”.

“Sot dështoi të parashikimin e tij si analist i sëmundjes së vet. Një herë që doli jashtë fushës së vet rezultoi i pafat si analist. Edhe pse nuk ka asnjë arsye të ndjehet fajtor për këtë, ai me siguri që është duke turfulluar për pabesinë e sëmundjes dhe gjërat që la gjysmë pa bërë, për fëmijët dhe gruan e tij që la pas. Dhe natyrisht mijëra punë të tjera që do bënte si gazetar”, përfundon Baze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat