Referendumi në Itali, Blushi: BE s’na ndihmon dot, t’i zgjidhim vetë problemet

Shqipëria

Referendumi në Itali, Blushi: BE s’na ndihmon dot, t’i zgjidhim vetë problemet

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 11:52
Ben Blushi

Në një reagim pas rezultatit të referendumit në Itali që solli largimin e kryeministrit Mateo Renzi, kryetari i Partisë Libra, Ben Blushi thotë se tani Europa do të jetë edhe më e pasigurt.

Blushi thotë se ka ardhur koha që Shqipëria të mendojë për t’i zgjidhur pa ndihmën e BE-­së problemet e saj.

“Italia dhe Europa do mbeten sërish në pasiguri dhe mjegull. Referendumi për kufizimin e kopetencave kushtetuese të Senatit u rrëzua nga afro 60 për qind të votuesve, duke marrë me vete qeverinë e Matteo Renzit. Ky kaos politik do ta dobësojë edhe më shumë eurozonën si dhe entuziazmin për zgjerimin e Bashkimit Europian. Ka ardhur koha të mendojmë për t’i zgjidhur vetë punët tona. Europa nuk na ndihmon dot nëse nuk ndihmojmë veten. A mund të të ngrohë dielli nëse jeton në bodrum? Natyrisht që jo”, shkruan në “Facebook” Blushi.

Më pas ai shton: “Errësira jonë është made in Albania, por pesimizmi ynë është made in Europe. Sa për referendumin e djeshëm në Itali, rezultati ishte një votë kundër Qeverisë, megjithatë edhe unë do votoja me kënaqësi që parlamenti i Shqipërisë të kishte vetëm 100 deputetë. Në një sallë me 100 njerëz ka më pak vend për të pashkolluar anonimë dhe banditë se në 140”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat