Reforma në drejtësi, Rama: Të pastrojë gjykatat; Lu: Efektet e frikës po ndihen

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Rama: Të pastrojë gjykatat; Lu: Efektet e frikës po ndihen

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 15:10
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se çelësi për të luftuar fenomenin e korrupsionit është reforma në drejtësi, e cila sipas tij duhet të pastrojë më parë sistemin e drejtësisë, i kthyer sipas tij në një pazar.

"Kur flasim për korrupsionin kemi tendencën që gjithçka ta lidhim me denoncimin, hetimin dhe gjykimin dhe patjetër kjo bën një domosdoshmëri të hershme të shoqërisë sonë: reformën në drejtësi dhe transformimin rrënjësor të drejtësisë, një sistem që është kthyer në një pazar të madh ku drejtësia blihet dhe shitet", ka thënë Rama në Simpoziumin Kundër Korrupsionit, organizuar nga Ambasada e SHBA. 

Por, sipas tij, drejtësia mund të kthehet në një sistem ku garancia kushtetuese e barazisë përpara ligjit bëhet e mundur. "Ne kemi ndërmarrë një rrugë reformash të mëdha e të thella që synojnë ndërtimin e sistemeve në çdo sektor, ku alternativa e korrupsionit luftohet përmes një cilësie të re të institucioneve dhe shërbimit që ato ofrojnë", ka thënë Rama.

I pranishëm në këtë event, ambasadori amerikan Donald Lu ka deklaruar se suksesi i reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja që do të dalin prej saj varet nga pritshmëritë e popullit shqiptar. 

“Kjo do të funksionojë vetëm nëse populli shqiptar ka pritshmëri të larta dhe kërkon rezultate nga këto institucione. Ju duhet të prisni që shumë prej krerëve të krimit të organizuar do të futen në burg. Duhet të prisni që politikanë të korruptuar, nga e dajthta në majtë, do të përballen me drejtësinë. Dhe më e rëndësishmja, duhet të prisni që trafikantë droge, politikanë e gjykatës e prokurorë të korruptuar të jenë të frikësuar”, ka thënë Lu. 

Sipas tij, që tani ekzistojnë prova se persona të këtyre kategorive janë të frikësuar dhe “po përpiqen të luftojnë këtë reformë”. 

“Për shkak të frikës së tyre ata thonë gënjeshtra për ambasadoren e BE, misionin EURALIUS dhe Gjykatën Kushtetuese. Sikurse e tha vetë kryetari i gjykatës, Dedja, gjykata ka dërguar një përkthim të rishikuar në Komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte dobësuar. Jemi në pritje të Komisionit të Venecias, që do të udhëzojë Shqipërinë për zbatimin e reformës”, ka thënë Lu. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat