“Dekretohen zgjedhjet, por kanë mbetur në vend punimet për kodin”, shqetësimi i Komitetit të Helsinkit

Shqipëria

“Dekretohen zgjedhjet, por kanë mbetur në vend punimet për kodin”, shqetësimi i Komitetit të Helsinkit

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 15:19
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin lidhur me faktin se megjithëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në qershor të vitit të ardhshme ende nuk është hartuar projekti i ndryshimeve që duhet t’i bëhen Kodit Zgjedhor duke u mbështetur sidomos në rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it.

Në këtë drejtim KShH ka parasysh se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të korrikut 2012 që i shërbyen zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, u miratuan 11 muaj para tyre. 

Është kjo arsyeja që KShH-ja e sheh të arsyeshme t’i sugjerojë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore të krijuar qysh me 15 Dhjetor 2015, të intensifikojë punën e tij me synim hartimin e një projekti cilësor dhe me formulime të qarta që të mos lejojmë keqinterpretime.

KShH, është në dijeni se Komisionit të Posaçëm i janë dërguar mjaft propozime për përmirësime të Kodit (kështu p.sh KShH qysh në muajin Prill të këtij viti i ka paraqitur komisionit të mësipërm 32 propozime).

Deri më sot, nuk është dhënë ndonjë informacion mbi diskutimet dhe debatet e zhvilluara në Komisionin e Posaçëm dhe as për arritjen e përfundimeve që do të mundësonin hartimin e draft ndryshimeve përkatëse.

Është thënë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të përfundojnë brenda muajit Dhjetor 2016. Por ende nuk dihet nëse është patur parasysh edhe mundësia që ky projekt të bëhej objekt diskutimi dhe debati në rrethe më të gjera d.m.th të ishte gjithpërfshirës. 
KShH e shikon të nevojshme të theksojë se gjithpërfshirja në këtë rast është e domosdoshme. Votuesit janë direkt të interesuar mbi përmbajtjen e këtyre ndryshimeve. Sensibilizimi i shërben edukimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve.

KShH mendon gjithashtu se miratimi i projekt-ndryshimeve cilësore dhe në kohën e duhur në Kodin zgjedhor, do të ndikojë pozitivisht në mbarëvajtjen e të gjitha fazave e zhvillimit të zgjedhjeve dhe në mënyrë të veçantë në përmbushjen e detyrave paraprake nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat