Krimet në vend, PD: Tahiri të thirret në seancë dëgjimore

Shqipëria

Krimet në vend, PD: Tahiri të thirret në seancë dëgjimore

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 21:43
Deputetja e Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj

Deputetja e Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj ka reaguar në lidhjue me ngjarjet e fundit kriminale në vend. Ajo tha se dy ngjarje të rënda kanë ndodhur në Shqipëri vetëm në pak kohë, njëra në Fier dhe tjetra në Korçë. Hajdarmataj ka theksuar se shteti nuk po funksionon siç duhet për të mbrojtur gratë.

Deputetja e djathtë i ka bërë thirrje presidentit të vendit Bujar Nishani që të mbledhë KLD-në për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës. Sakaq, ajo ka bërë thirrje gjithashtu që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për të shpjeguar dështimin e Policisë së Shtetit në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.

Statusi i deputetes demokrate Hajdarmataj

Çfarë na duhen kuotat gjinore në politikë kur vendi është në një emergjencë kombëtare për kuotat e sigurisë së jetës, sidomos të grave? Sot, në krizën më të thellë që po lëngon shoqëria dhe familja shqiptare nga mosekzistenca e shtetit, ne gratë deputete, (absolutisht të pakushtëzuara nga forca politike), duhet të shpallim me emergjencë, një mision kombëtar: "Gratë për gratë, nënat për nënat dhe mbi të gjitha, të gjitha bashkë për fëmijët, për engjëjt e pambrojtur nga instiktet mizore".

Duke përkrahur me vlerësim, kërkesat e koleges Bregu, mendoj se zëri i saj nuk mund të mbesë vetëm një jehonë, për institucionet që janë në përgjumje ose të kapura nga korrupsioni dhe interesat e qeverisë. Askush më mirë dhe më me kompetencë se sa Aleanca e Grave Deputete, mund të ndërmarrë nismat e theksuara nga deputetja Bregu për;

-Apel Presidentit të Republikës të mbledhë KLD për të monitoruar drejtësinë e vendimeve të gjykatave për viktimat e dhunës.

-Të thirret në seanca dëgjimore, Ministri i Brendshëm për të shpjeguar dështimin e policisë në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes për gratë e dhunuara.

- Propozime urgjente ligjore për rëndimin e sanksioneve në legjislacionin kundër dhunës në familje.

Nuk ndreqet asgjë me mallkime, sharje, trishtim apo lutje.  Nevojitet një plan kombëtar veprimi konkret, për masat kundër dhunës në familje, para se këtë vend ta marrë vërtetë lumi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat