Basha në Tropojë: Të kthejmë pushtetin tek qytetarët

Shqipëria

Basha në Tropojë: Të kthejmë pushtetin tek qytetarët

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 11:25
Pamje nga takimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me demokratë në Tropojë, vuri në dukje se forca që ai drejton është sërish në mision historik për të sjellë valën e fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës, të kthimit të pushtetit tek qytetarët.

Liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin, tha Basha, dhe që këto koncepte të marrin fuqi, duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer atij kontrollin e qeverisjes me instrumentat që i takojnë.

“Vendi është robëruar nga një kastë të korruptuarish dhe kriminelësh, të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që PD t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë”, tha Basha.

Ai u kërkoi anëtarëve të PD-së të qëndrojnë pranë njerëzve dhe të evidentojnë hallet e tyre.

“Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”, pohoi kreu i PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat