Meta letër ngushëllimi familjarëve të gazetarit Andrea Stefani: Luftëtar i lirisë së fjalës

Shqipëria

Meta letër ngushëllimi familjarëve të gazetarit Andrea Stefani: Luftëtar i lirisë së fjalës

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 11:36
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i është drejtuar të martën me një letër ngushëllimi familjarëve të gazetarit dhe analistit të njohur, Andrea Stefani, i ndarë nga jeta pak ditë më pare pas një sëmundje të rëndë.

Kryeparlamentari e konsideron Stefanin një luftëtar të lirisë së fjalës, të cilën e kultivoi si pakkush.

Meta, pasi shpreh në letër “trishtimin dhe dhembjen e pafund kur mësoi lajmin e hidhur”, thotë se “ndonëse e dija që kishte muaj që kish nisur një betejë të fortë dhe të rëndësishme, isha i bindur se ajo nuk do të ishte beteja e fundit e këtij luftëtari të paepur”.

“Isha i bindur, vijon letra, se Andrea do të triumfonte në këtë betejë vetjake që nuk e bënte thjesht dhe vetëm për veten e tij, por e bënte edhe për Ju, familjarë e të afërm të tij, e bënte edhe për ne, të njohurit e tij të shumtë, edhe për gjithë atë armatë të madhe lexuesish dhe shikuesish shqiptarë, të cilët e lexonin dhe e shikonin botën tonë të vogël, edhe nëpërmjet fjalës së tij të lirë”.
“Isha i bindur, nënvizon kreu i Kuvendit, sepse Andrea, për aq sa e kam njohur, në të gjitha betejat publike me fjalë që ai kishte hyrë dhe i kishte luftuar, asnjëherë nuk nisej nga interesi i tij vetjak, por vinte përpara një interes shumë më të madh të të gjithë shoqërisë. Ashtu siç e shihte ai vetë. Ashtu siç besonte ai vetë, si një shpirt i shqetësuar për lirinë dhe që kurrë nuk bëri kompromis për të vërtetat e tij.”
Më tej në letër, Meta shprehet se “Andrea është nga ata njerëz të rrallë për të cilët nuk pritet asnjëherë ikja për të kuptuar sesa e rëndësishme ka qenë prania e tyre. Andrea ishte i pazëvendësueshëm si mik dhe i respektueshëm si kundërshtar. Kush e ka njohur në këto dy anë të shfaqjes së tij publike, ndoshta ka pasur fatit të njohë edhe lirinë e tij që ai e vuri pa hezitim në shërbim të publikut”.
“Pjesë e një grupi të vogël gazetarësh të fillimviteve 90-të, në kohën kur Shqipëria po ndryshonte me shpejtësi, Andrea është gjithashtu pjesë e portretit të shqetësuar e të gjithë shoqërisë shqiptare. Me shumë dilema, me shumë vështirësi, më rrëzime dhe ngritje, por dhe me besimin e pandryshueshëm se vetëm liria dhe ndeshja për lirinë, do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë shoqërinë. Dhe Andrea ka qenë luftëtar i lirisë dhe lirisë së fjalës që e kultivoi si pakkush”, nënvizon Meta në letër.

“Secili nga ne, thekson ai, i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit! Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët, Daniel dhe Stefani, dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë. Bashkoj sot me të gjithë Ju, dhembjen time dhe ju shpreh gjithë trishtimin tim për humbjen e këtij njeriu të veçantë, kalorës fisnik dhe luftëtar të madh të fjalës”, përfundon letra e ngushëllimit e kreut të Kuvendit.

Analisti i njohur vdiq të premten në moshën 58 vjeçare, ne një spital në Itali. Sot pritet të zhvillohet ceremonia e varrimit, e cila do të paraprihet nga homazhe, që miq dhe kolegë do të mbajnë para trupit të tij, i vendosur në mjediset e Radiotelevizionit Publik Shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat