Goditja e trafikimit, mbrojtja e viktimave dhe dënimi i trafikantëve

Shqipëria

Goditja e trafikimit, mbrojtja e viktimave dhe dënimi i trafikantëve

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 17:58
Ilirian Agolli

Koordinatorja e Shqipërisë për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Njerëzve dhe Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migrimit (ICMPD) bashkuan sot në Tiranë për të shkëmbyer praktikat dhe përvojat e kësaj fushe ekspertë të antitrafikimit nga Shqipëria, Bosnja, Hercegovina dhe Moldavia, Serbia dhe Britania e Madhe.

Pjesëmarrësit treguan hapat e deritanishëm në secilin vend për të përmirësuar identifikimin e vitkimave të mundshme të trafikimit. Shqipëria e vuri theksin në dënimin e trafikantëve si përmbylljen e procesit për të mbrojtur viktimat.

Strategjia kombëtare ka qendër të saj shtimin e hetimeve dhe dënimeve të trafikantëve si dhe zbatimin e Mekanizmave Kombëtarë dhe Transnacionalë të Referimit, Procedurat Standarde të Veprimit përballë trafikantëve dhe vitimave të tyre.

Përfaqësues të shoqërisë civile pohuan se dy vitet e fundit qeveria Rama ka shtuar ndjeshëm ndihmat për strehëzat ku strehohen viktimat e trafikimit.

Procedurat e identifikimit të viktimave të trafikut po rishikohen me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare për migracionin, për t'u zbatuar më lehtë.

Nga ana tjetër po përmirësohet legjislacioni penal gjatë reformës në drejtësi, për të mundësuar parandalimin dhe dënimin më të shpeshtë të trafikantëve.

Por gjatë konferencës u diskutuan edhe mangësi ligjore, që do t'i mbronin më mirë viktimat e trafikut dhe nuk do të përqendroheshin vetëm tek kapja dhe dënimi i trafikantëve, me dëshmitare viktimat e tyre.

Shqipëria dhe vendet fqinje kanë në fuqi një legjislacion shumë të plotë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, ndaj sfida është zbatimi sa i mirë i tij, duke bashkëpunuar policia, drejtësia dhe pushteti vendor sa më pranë komunitetit qytetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat