‘Escobari i Ballkanit’, grekët dorëzojnë në Shqipëri 10 mijë faqe për Klement Balilin

Shqipëria

‘Escobari i Ballkanit’, grekët dorëzojnë në Shqipëri 10 mijë faqe për Klement Balilin

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 20:01
Klement Balilin

Pas çështjes çame, varrezave, Himarës, minoriteteve, ligjit të luftës, duket se përplasja mes Tiranës dhe Athinës po fiton edhe një element të ri, luftën kundër krimit.

Burime diplomatike greke pohuan për Tch se që prej datës 12 nëntor, në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë ka mbërritur një nga dosjet më voluminoze kundër një prej emrave më të përfolur të krimit në të dyja anët e kufirit.

Bëhet fjalë për Klement Balilin. I shpallur në kërkim nga autoritetet greke shumë muaj më parë, ai vazhdon të jetë në kërkim, edhe nga ato shqiptare, të cilat shpesh ishin ankuar se ndaj Balilit nuk kishin prova të mjaftueshme për t’i nisur një proces gjyqësor. 

Por tashmë në duart e tyre gjenden 10 mijë faqe përmbajnë fakte dhe dëshmi për trafik droge, njerëzish, por edhe vrasje, të cilat i mvishen Klement Balilit dhe grupit të tij të strukturuar kriminal. 

Dosja është sjellë prej gati tre javësh e përkthyer në shqip. Arsyeja është pikërisht heqja e çdolloj argumenti nga pala shqiptare, veçanërisht Ministria e Drejtësisë për vonesa në dërgimin e dosjes në Prokurorinë shqiptare. 

Dërgimi i së njëjtës dosje në greqisht muaj më parë ende zvarritet në përkthim nga autoritetet shqiptare. 

Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë të kontaktuara nga ne, i pohuan se dosja “Balili”, e përkthyer kësaj radhe në shqip nga vetë nga grekët, do t’i dorëzohet prokurorisë shqiptare paraditen e së mërkurës. 

Nëse kjo ndodh, atëherë aventura gjyqësore e Klement Balilit, do të futet në një spirale të re, kësaj radhe me drejtësinë shqiptare. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat