Avokati ndërkombëtar kërkoi që Shqipëria të vijonte arbitrazhin me CEZ, Gjiknuri: Donte para

Shqipëria

Avokati ndërkombëtar kërkoi që Shqipëria të vijonte arbitrazhin me CEZ, Gjiknuri: Donte para

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 09:39
Damian Gjiknuri

Marrëveshja për ndërprejen e gjyqit të arbitrazhit ndërkombëtar mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ, është bërë dje molla e sherrit mes opozitës dhe ministrit Gjiknuri në komisionin hetimor. Partia Demokratike publikoi një dokument ku pretendonte se ministrit të Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri i është sugjeruar nga avokati ndërkombëtar i qeverisë për çështjen CEZ, të vazhdohej arbitrazhi me qëllim që Shqipëria të mos humbiste miliona euro. Por, kjo kërkesë sipas ministrit, duket se ka pasur të bënte më shumë me përfitimet e studios avokatore. “Si çdo avokat ai ishte me i prirur për gjyq, se sa për marrëveshje pasi çdo avokat përfiton më shumë te pagesa nga gjyqi se zgjidhja me mirëkuptim jashtë arbitrazhit”, tha Gjiknuri.

Gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për zgjidhjen e kontratës me CEZ-in, ministri Gjiknuri pranoi se është marrë vendim politik për zgjidhjen e situatës. Duke cituar një sërë dokumentesh, deputetja demokrate, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se me zgjidhjen e kësaj kontrate në mënyrë të njëanshme është cënuar interesi i shtetit shqiptar. Sipas saj këtë e vërtetojnë edhe dokumentet e avokatit të shtetit. Sakaq, ministri Gjiknuri u përgjigj duke thënë se qeveria “Berisha” nuk kishte marrë asnjë masë për të mbrojtur konsumatorin shqiptar gjatë kohës që kompania ushtronte aktivitetin, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin se për çështje politike nuk kishte ngritur asnjë pretendim për çështjen CEZ. Gjiknuri tha se nga zgjidhja e kontratës nuk është cenuar asnjë interes kombëtar.

Sakaq, në Komision u shënua edhe një përplasje mes Gjiknurit dhe ish-ministrit të Energjetikës, Florion Mima, i cili akuzoi ministrin se e ka firmosur ai kontratën e dytë me kompaninë që do të monitoronte aktivitetin e CEZ-it duke i shkaktuar sipas tij një dëm kolosal shtetit shqiptar nga ana financiare. Paralelisht me Komisionin Hetimor të ngritur nga opozita po punon një tjetër Komision Hetimor që është ngritur nga maxhoranca për të hetuar lidhjen e kontratës me CEZ-in nga qeveria e djathtë. Javën e shkuar dëshmitar ishte Sali Berisha, por ai u largua pa dëshmuar për shkak të tensioneve me kreun e Komisionit Taulant Balla.

Debatet

Damian Gjiknuri: Kisha dëgjuar për kontaktin e CEZ-it nga mediat para se të merrja detyrën si ministër. Pas marrjes së detyrës u njoha me çështjen.

Jorida Tabaku: Në letrën e Avokatit të Shtetit thuhet se ka patur probleme me procesin. CEZ nuk plotësoi asnjëherë detyrimet e kontratës. Sipas avokatit, Shqipëria i ka të gjitha provat për ta ndjekur çështjen në gjyq.

Damian Gjiknuri-Tabakut: Prisni përgjigje para se të kërcisni kot më kot. Faturat e vitit 2013 nuk ishin paguar ende. Deri më 2013, qeveria “Berisha” nuk kishte marrë asnjë masë për të mbrojtur konsumatorin. Qeveria “Berisha” për çështje politike nuk kishte ngritur asnjë pretendim për çështjen e CEZ-it.

Florion Mima: Zoti Ministër ju vazhduat serinë e shpifjeve. Është shpifje të vijë këtu dhe të thotë që nuk ka gjetur asgjë gati. Kontratën e dytë e ke firmosur ti se i ke gjetur në tavolinë të gjitha dokumentet. Është e vërtetë që avokati ka punuar pa pagesë, por ka bërë detyrën. Ti buzëqesh, por i ke shkaktuar dëmin më të madh këtij shteti.

Damian Gjiknuri: Kishim dy mënyra për të bërë shpronësimet me kosto 200 milionë dollarë.

Jorida Tabaku: A është cenuar interesi i shtetit shqiptar nga marrëveshja?

Damian Gjiknuri: Nuk është cenuar asnjë interes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat