Çako në Forumin e Romës, vlerësohet puna e Policisë së Shtetit

Shqipëria

Çako në Forumin e Romës, vlerësohet puna e Policisë së Shtetit

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 10:04
Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako, në Forumin e Romës

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako, mori pjesë në Forumin e Romës, ku ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e Policive të Ballkanit Perëndimor.

Si dhe Drejtorët e organizatave dhe agjencive që mbështesin policitë evropiane si Europol, Interpol, SELEC, por edhe nga Bashkimi Evropian.

Gjatë këtij takimi ku u trajtuan çështje aktuale me të cilat përballen policitë e vendeve tona dhe që shqetësojnë sigurinë e publikut  të tilla si: Terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni i paligjshëm.

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako në fjalën e tij në Forum theksoi se bashkëpunimi me partnerët është shumë i rëndësishëm si zgjidhja e vetme për të patur siguri në vendet tona.

“T’i kthejmë kufijtë tanë në barriera të pakalueshme  për kriminelët dhe në vija të padukshme për qytetarët tanë”, -theksoi ai.

Ndërkohë që Drejtori i Policisë pati një takim dypalësh me Prefektin Gabrielli të Policisë Italiane.

Ai theksoi se, bashkëpunimi ka nivele të shkëlqyera.

“Kanalet e ngritura (Interforza në Tiranë dhe oficerët e kontaktit në Bari e Romë) janë duke dhënë rezultate të shkëlqyera në drejtim të kapjes së të kërkuarve, parandalimit të vrasjeve, kapjes së trafikut me gomone e me mjete të tjera që trafikantët kanë filluar të eksperimentojnë, si avionë të vegjël e motora uji.  Kjo është shenjë e një luftë pa kompromis që së bashku po bëjmë.”, u shpreh ai.

Përgëzoi rritjen e bashkëpunimit edhe me Policinë e Kufirit në Bari me Drejtorin Xhelik dhe Kazavola, por edhe të Guardia di Finanza me Kolonelin Maxhore të Repartit aereodetar e Repartet operative të Karabinierisë me Kolonelet Pellegrino e Barbera.

“Jam i lumtur të konstatoj se vendosja e një koordinatori tuaj në QNOD dhe vendosja e oficerit të kontaktit në Bari janë dëshmi e rezultateve të shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve në det, por jo vetëm”, - u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit.

“Ndërkohë që do të dëshironim ta forconim këtë bashkëpunim nëpërmjet nënshkrimit të: Protokollit për Trafiqet dhe terrorizmin; Protokollit për shkëmbimin e studenteve dhe ofrimin e trajnimeve e studimeve. Shkolla e Kazertës, shkolla e Peskaras për Policimin në komunitet, Shkolla e Cezanos për Rrugoren etj.; Protokolli për sezonin turistik.”, -vazhdoi më tej drejtori i Policisë.

Nga ana e tij Shefi i Policisë Italiane prefekti Franco Gabrielli, shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe unik me Policinë e Shtetit Shqiptar.

“Misionet prezente në Shqipëri të cilat asistojnë dhe punojnë krah për krah me Policinë e Shtetit janë të angazhuara dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara maksimalisht edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.”,- tha ai.

Shefi i Policisë Italiane u shpreh se është krenar për miqësinë dhe bashkëpunimin dhe se do të angazhohet personalisht për konkretizimin e protokolleve për trafiqet dhe terrorizmin, protokollin për sezonin turistik dhe shkëmbimin e oficerëve të policisë në institutet e formimit policor.

Prefekti Gabrielli pranoi ftesën e bërë nga Drejtor Cako për një vizitë në Shqipëri.

Më herët Drejtori i Policisë u takua edhe me Ambasadoren e Shqipërisë në Romë SHTZ Anila BITRI.

Në këtë takim ata trajtuan problematikat aktuale që hasin shtetasit shqiptarë në shtetin Italian, por edhe çështje që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe minorët e pashoqëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat