Kokëdhima: Të garantojmë të drejtat e ish-ushtarakëve

Shqipëria

Kokëdhima: Të garantojmë të drejtat e ish-ushtarakëve

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 11:41
Koço Kokëdhima në Vlorë

Politikani Koço Kokëdhima u shpreh, gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Vlorës, të hënën, se ish-ushtarakët janë të varfër e të mërzitur, ndihen të përdorur, të padëgjuar, të pavlerësuar, të parespektuar, të braktisur e të papërfaqësuar nga pushteti. Kokëdhima tha se, “nuk është në nderin e Partisë Socialiste që ish-ushtarakët të ndihen kaq të revoltuar”.

“Kemi përgjegjësinë t’u garantojmë atyre të gjitha të drejtat, privilegjet dhe nderimet që u takojnë ushtarëve të atdheut”, tha Kokëdhima. Ai shtoi në të gjitha ditët si deputet, ka qenë shumë i interesuar për këtë shtresë edhe në Vlorë, edhe në Sarandë, edhe në Gjirokastër, edhe në të gjithë Shqipërinë.

“Mbi një mijë ish-ushtarakë në shkallë vendi, që kanë shërbyer për vite të tëra në detyra e kushte jashtëzakonisht të vështira, nuk mund të përfitojnë Statusin e Ushtarakut për sebepe, keqdashje e papërgjegjshmëri flagrante të kastës sunduese të tranzicionit. Përkufizimet e ligjit për Statusin nuk mund të shërbejnë si justifikim për gjithë këtë pandjeshmëri e padrejtësi ndaj këtyre burrave. Asnjë ushtarak i liruar nga reforma nuk duhet të jetë pa status. Ligjet i bëjnë njerëzit, ligjet nuk i bën Zoti!”, tha Kokëdhima.

Sipas politikanit socialist, nga Statusi për Ushtarakët nuk mund të privohet asnjë ish- ushtarak. “Në përgjithësi, ish-ushtarakët janë anëtarë të Partisë Socialiste dhe mbështetës të saj të përjetshëm. Ata nuk e tradhëtojnë kurrë Partinë Socialiste dhe kjo i shtyn cinikët dhe rioshët e PS-së, të mos i dëgjojnë e zgjidhin këta burra të munduar, duke arsyetuar se, “ata s’kanë ku shkojnë, votat neve do na i japin!”, u shpreh Kokëdhima. Ai shtoi se, shumica nuk duhet të ketë asnjë kompleks nga e shkuara.

“Ajo duhet të nderojë në mënyrën më sipërore Luftën Nacional-ëlirimtare, veteranët e kësaj lufte, heronjtë dhe dëshmorët e saj, ish-ushtarakët, njerëzit më të shquar të shkencës e prodhimit që ndërtuan veprat dhe bënë transformimet e mëdha të vendit me sakrificat, gjakun dhe djersën e këtij populli. Këta dhe vlerat më të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore, social-politike e ideologjike të së majtës historike, janë domeine dhe cekskluzive të Partisë Socialiste, për të cilat, jemi shumë krenarë”, nënvizoi Kokëdhima gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Vlorës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat