Ministri Manjani reagon për dosjen hetimore për Klement Balilin, sulmon ashpër Top-Channel

Shqipëria

Ministri Manjani reagon për dosjen hetimore për Klement Balilin, sulmon ashpër Top-Channel

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 13:58
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas lajmit të djeshëm të Tch se Greqia i ka dorëzuar Ministrisë shqiptare të Drejtësisë dosjen me 10 mijë faqe për ‘Escobarin e Ballkanit’, Klement Balili.

Në lajmin  që media  i referohej burimeve diplomatike, thuhej se Ministria e Drejtësisë ka vonuar përcjelljen në Prokurori të kësaj dosje hetimore për Balilin.

Në një status në Facebook, ministri Ylli Manjani ka sulmuar “Top-Channel” në lidhje me këtë lajm, duke sqaruar se dosja ka mbërritur nga Greqia më 14 nëntor dhe që atë ditë iu dërgua edhe Prokurorisë Shqiptare ashtu siç ishte.

Ndërkohë që ditën e djeshme, dosja prej 10 mijë faqe iu dërgua e përkthyer në shqip Prokurorisë. Sipas Manjanit, që prej 14 nëntorit deri më 6 dhjetor, kjo është një periudhë rekord për përkthimin e dosjes voluminoze.

Reagimi i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani:

Mirëmëngjes,

I surprizuar (jo për herë të parë) nga përhapja e një lajmi me burim Top Channel, mbi vonesat e dosjes se Klement Balilit, dua tu bëj me dije se:

1. Që prej ditës së djeshme, pra para se të bëhej lajmi Prokuroria Shqipëtare ka në dispozicion dosjen e përkthyer zyrtarisht. Ministri i Drejtësisë është autoriteti ligjor që përkthen dhe çertifikon përkthimet ligjore.

2. Dokumentat origjinale në gjuhën Greke ne i kemi marrë zyrtarisht, më datë 14 Nëntor 2016. Kjo dosje ju përcoll ashtu siç ishte brenda ditës Prokurorisë. Kjo e fundit i regjistron këto dokumenta në dosjen hetimore.

3. Më datë 16 Nëntor, është sjellë në Ministri, nga Prokuroria kopja e dosjes për tu përkthyer zyrtarisht. Procedurë e kërkuar nga ligji.

4. Menjëherë zyra e përkthimeve ligjore në Ministri, si për çdo rast tjetër ka filluar punën për përkthimin dokumentave. Fillimisht u angazhuan 10 përkthyes dhe në vijim u shtuan edhe 5 të tjerë. 
Praktika ime e punës është veprim sa më i shpejtë, veçanërisht në çështjet ë marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Kjo zyrë administron të dhëna konfidenciale në shërbim të proceseve hetimore dhe jo vetëm.

5. Koha që u harxhua për përkthim ishte rekord! Përkthime të kësaj natyre janë të vështira sepse kërkojne nivel profesional. Kjo vështirësi shtohet kur volumi është i madh! Sidoqoftë tashmë dosja e përkthyer zyrtarisht është dërguar dje, datë 06.12.2016.

Kjo është kronologjia e kësaj dosje, për të gjithë ju që doni të dini të vërtetën.

Kjo është kronologjia zyrtare e faktuar për të gjithë ata që bëjnë lajme në emër të "burimeve" gjithfarësh! Me këtë rast le të njoftohen edhe "burimet"...

Kjo është e vërteta edhe për ata që zhvillojnë skenarë e teori konspiracioni me "mbrojtje" për të kërkuar apo të dyshuar! 
Madje këtij grupi dua ti sjell në vemendje se Ministri i Drejtesisë nuk është as Prokuror, as Gjykatës e as Polic! Që do të thotë kushdo që e ka në dorë për ta arrestuar e gjykuar ligjërisht Klement Balilin dhe këdo tjetër bën mirë ta bëjë! 
Këtë gjë e kam thënë që në muajin maj të këtij viti dhe nuk e ndryshoj aspak qëndrimin!

Punë të mbarë drejtësisë! Të tjerat skanë më asnjë rëndësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat