Nishani dhe Lu shprehin besimin për suksesin e reformës në drejtësi

Shqipëria

Nishani dhe Lu shprehin besimin për suksesin e reformës në drejtësi

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 19:59
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, shprehu sot besimin e tij se institucionet e reja të drejtësisë si BKH dhe SPAK do të sjellin pastërtinë e sistemit gjyqësor dhe do të godasin korrupsionin në nivelet e larta dhe në shumë fusha të jetës së vendit.

Presidenti Nishani tha se “qytetarët shqiptarë e dinë më mirë se çdo zyrtar nivelin e korrupsionit që ndeshin përditë në gjykata, nëpër zyra, në shkolla dhe shumë institucione të tjera, ku shkojnë për problemet e tyre”.

Presidenti Nishani tha se joshja e korrupsionit është e pranishme për të gjithë, por më e madhe se ajo duhet të jetë vullneti për ta luftuar korrupsionin me mekanizma ligjorë, duke lënë mënjanë hipokrizinë.

Zoti Nishani i bëri këto komente në mbyllje të simpoziumit të misionit OPDAT pranë ambasadës amerikane kundër korrupsionit me titull “Sytë drejt të ardhmes; muri i korrupsionit çahet”.

Ndërsa ambasadori i SHBA Donald Lu tha se prej shembujve të shqyrtuar në simpozium nga Kroacia dhe Rumania etj., doli që korrupsioni nuk u luftua nga të huajt, por u godit nga brenda vendit, me gazetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë me kurajo.

“Kjo nuk u arrit nga të huajt dhe as nga politikanët. Ai tha se në Shqipëri lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë do të nisë me procesin e vettingut nga janari i ardhshëm” - tha zoti Lu.

Ai shtoi se Komisioni i Venecias meriton mirënjohje pë këshillat e urta në këtë proces, sepse Opinioni i tij ofroi bazën më të qëndrueshme për këtë reformë.

Ambasadori amerikan tha se kishte besim të mençuria e popullit shqiptar, që është i zgjuar e i paepur dhe se ai është lodhur nga korrupsioni në këtë fushë.

Gjykata Kushtetuese, institucionet, partitë dhe opinioni publik janë duke pritur këto ditë komentet e Komisionit të Venecias mbi procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve si fillimin e një reforme të thellë nën sistemin e drejtësisë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat