Rama dhe Basha sipas Nishanit. Gati për një mandat të dytë dhe...një rikthim në PD!

Shqipëria

Rama dhe Basha sipas Nishanit. Gati për një mandat të dytë dhe...një rikthim në PD!

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 22:58
Bujar Nishani, Edi Rama, Lulzim Basha

Presidenti Bujar Nishani thotë se ka vetëm marrëdhënie institucionale me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, që me ardhjen në pushtet Rama e lidhi qëllimisht figurën e presidentit me axhendën e Partisë Demokratike në mënyrë që të radhitej si një institucion jashtë kontrollit të qeverisë.

Megjithatë, një qëndrim krejt ndryshe ka për liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nishani e vlerëson si një njeri pozitiv, me eksperiencë duke e quajtur “shans për PD-në që ka një kryetar si ai”.

Por a e sheh veten President edhe në një mandat tjetër? 

Bujar Nishani tha në “Tonight me Ilva Taren” në Ora News, se është i gatshëm për një 4-vjecar të dytë në krye të shtetit, por thotë se ka ende kohë deri në korrikun e 2017-ës kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

“Kam deklaruar gatishmërinë që nëse shumica në parlament do të gjykojë për një mandat të dytë unë kam deklaruar gatishmërinë për të vijuar. Vendimi do të jetë i deputetëve. Besimin që mu dha në 2012 mendoj se e kam justifikuar duke punuar dhe shërbyer për interesin publik. Do kishte qenë shumë më problem nëse Presidenti do të ishte një kukull  e qeverisë”, u shpreh ai.

Por në rast se nuk do të ketë një mandat të dytë, Nishani nuk përjashton as mundësinë për t’ju bashkuar sërish Partisë Demokratike.

Pjesë nga intervista

Si i keni marrëdhëniet me Kryeministrin?

Institucionale. Në çdo rast që qeveria dhe parlamenti ka nevojë për angazhimin ligjor të Presidentit nuk do të mungojë dhe nuk ka munguar. Nëse janë 20 ligje të rrëzuara janë 500 të tjera të miratuara.

Akuzat e Ramës për ndjekje të axhendës së PD.

Është akuzë politike që e ka bërë kur ka ardhur në detyrë për të krijuar përceptimin fals që ky institucion duhet mënjanuar për faktin se nuk është institucion në kontrollin e qeverisë.

Ka pasur përputhje të axhendave tuaja me PD. Ligji për mbetjet, parku.

Çështja e ndërtimit tek Parku nuk ka të bëjë me ligjet që kanë rënë ndesh me Kushtetutën. Natyrisht që mund të ketë përputhshmëri me opozitën, ka qëlluar që është PD. Lidhur me parkun, ka qenë qëndrim publik i Presidentit në përgjigje të një interesi të qytetarëve. Presidenti nuk ka bërë ndonjë gjynah të madh që ka pritur në zyrë qytetarët për ti dëgjuar. Për këtë akt Presidenti u anatemua. Individët që e kundërshtun kanë qenë dhe kundërshtarë të opozitës. Nëse fryma e tyre është përputhur me PD nuk është ndonjë herezi. Nuk e inspirova unë protestën, nuk kërkova takimin, por nuk mund të injorojë kërkesën. Ndërtimi i parkut tek liqeni është në rendin e ditës të një prej institucioneve shumë të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara.

Rikthim në politikën aktive?

Qeveria thotë se unë kam qenë, nuk jam larguar nga PD. Nuk kam asnjë projekt, mandati ende është një mandat që ka mjaft kohë për të dhënë kontribute deri në korrikun e vitit të ardhshëm. Është gatishmëria për të marrë një mandat të dytë. Kam dëgjuar thashetheme kafenesh.

Do merrni postin e kreut të  PD?

Është qesharake, PD e ka kryetarin. Është një shans për PD që ka një kryetar si zoti Basha. Reflekton pozitivitet, ka goxha eksperiencë në një moshë jo shumë të madhe. PD është e rëndësishme për vendin ashtu si PS.Nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë bazë ngritja e hipotezave të tilla.

Ka një perceptim se zyrtarët që punojnë në Presidencë janë familjarë, apo përfaqësues të PD?

Janë disa individë që kanë qenë të angazhuar në administratën e PD kur ka qenë në pushtet. Cilat janë bindjet e brendshme unë nuk mund të ndërhyj. Nuk e di kush është i atashuar as me të majtën dhe as me të djathtën. Njerëzit që kanë qenë të angazhuar dhe kanë eksperienca janë të rëndësishëm.

Mandati i dytë, duhen 84 vota. Ku e keni besimin se mund të mbështeteni përveçse nga PD?

Nuk lidhet me besimin dhe dëshirën time. Jam bërë President me mbështetjen dhe propozimin e PD dhe LSI. Duke qenë i bindur se i kam shërbyer interesit publik dhe interesave të vendit gjatë këtij mandati, kam deklaruar gatishmërinë që nëse shumica në parlament do të gjykojë për një mandat të dytë unë kam deklaruar gatishmërinë për të vijuar. Vendimi do të jetë i deputetëve. Besimin që mu dha në 2012 mendoj se e kam justifikuar duke punuar dhe shërbyer për interesin publik. Do kishte qenë shumë më problem nëse Presidenti do të ishte një kukull  e qeverisë.

Jeni në kontakte, keni dijeni për votat e LSI?

Jo.

Nëse nuk realizohet kjo, çfarë do të bëni?

Nuk mund të investohem në fushë tjetër. Unë jam investuar në politikë. Nuk kam ndërmend të tërhiqem në një shpellë, politika është pasioni im por nuk bëhet vetëm në kuadrin e një partie. Votimi dhe zgjedhja ime si President ishte reflektim dhe i disa rrethanave.

Nëse do ketë nevojë PD për ju do ti bashkoheni?

Mbetet për tu parë. Asgjë nuk përjashtohet. Nuk jam investuar në fushën e biznesit, në shkencë, në art apo kulturë.

Çfarë mund të bëjë një President?

Nuk e shoh veten të konkurroj për një post administrativ. Njerëzit në media japin kontribute të mëdha në opinionin publik, demokracia të jep të gjitha mundësitë. Do varet nga rrethanat.

Zgjedhjet?

Uroj të ndodhë më e mira për Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat