Gjiknuri: Duam sërish LSI-në në koalicion, por nuk do t’i imponohemi

Shqipëria

Gjiknuri: Duam sërish LSI-në në koalicion, por nuk do t’i imponohemi

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 15:41
Damian Gjiknuri

Shqiptarët do thirren pas rreth 6 muajsh të zgjedhin se cilët do të jenë deputetët dhe qeveritarët e ardhshëm. A do kemi të njëjtin koalicion të së majtës, apo mund të përballemi me surpriza? Ekziston vullneti e mundësia për vijimin e një aleance mes socialistëve dhe LSI-së?

Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, njëherësh anëtar i kryesisë së PS-së Damian Gjiknuri, ripërsërit qëndrimin se socialistët e dëshirojnë një gjë të tillë, por jo t’i luten aleatëve strategjikë.

“PS e ka deklaruar më herët që ne jemi të hapur për rinovimin e këtij koalicioni, kemi qeverisur bashkë dhe kemi bërë gjëra të mira bashkë dhe besoj na lind e drejta që së bashku të kërkojmë edhe njëherë votëbesimin e qytetarëve shqiptarë. Ky është qëndrimi i PS, pastaj çdo parti mund të bëjë zgjedhjen e saj dhe ne nuk imponohemi askujt që duhet të vini patjetër ose jo në një koalicion qeverisës”.

Gjiknuri rendit disa nga reformat e ndërmarra nga qeveria “Rama” në këto 3 vite. Bilanci është pozitiv thotë ai dhe andaj kërkohet një mandat i dytë qeverisës.

“Bilanci i këtyre reformave është mbyllja e gropës financiare, forcimi i shtetit ligjor, krijimi i shtetit në konceptin që qeveria e majtë bëri të mundur krijimin e shtetit me plotë kuptimin e fjalës në shumë fusha, që në ligjshmërinë e pagesave të energjisë, rendi publik, reformat në arsim e shëndetësi, të gjitha reforma të suksesshme dhe patjetër e gjithë kjo e përkthyer në një faturë pozitive për qytetarët që do të thotë rroga e pensione”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat