Akademia e Shkencave nderon Thaçin me titullin “Nderi i Akademisë”

Shqipëria

Akademia e Shkencave nderon Thaçin me titullin “Nderi i Akademisë”

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 14:54
Akademia e Shkencave të Shqipërisë nderoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Akademia e Shkencave të Shqipërisë nderoi sot me mirënjohjen “Nderi i Akademisë”, Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof.Dr. Muzafer Korkuti në fjalën e tij theksoi se “Akademia jonë e Shkencave ka qenë e para që, përmes botimit në disa gjuhë të librit “Kosova, një vështrim enciklopedik”, bëri të njohura botërisht meritat tuaja si njeriu që qendroi në krye të procesit të pavarësimit të Kosovës, që është një ngjarje epokale; si kryenegociator i statusit të shtetit më të ri në Ballkan në Konferencën e Rambujesë dhe si ndërtues i paqes në një kohë shumë të vështirë”.

“Me këtë mirënjohje ne duam të vlerësojmë gjithashtu misionin tuaj në krye të shtetit të Kosovës, një mision që Ju e keni kurorëzuar në kohë të mbara e në kohë të vështira”, nënvizoi Korkuti.

Në krye të këtyre misioneve, vijoi ai, si kryetar i qeverisë e si kryetar i shtetit, Ju keni qenë po aq i ndjeshëm sa dhe bota akademike e universitare në Kosovë e në Shqipëri për ruajtjen dhe përurimin e trashëgimit shpirtëror të popullit shqiptar, për theksimin e njëjtësisë së historisë, të traditave, të identitetit dhe të gjuhës sonë letrare kombëtare.

Kreu i Akademisë së Shkencave, tha se “dy akademitë tona po bashkëpunojnë me projekte e programe, me nisma dhe organizma të përbashkët. Duke e ditur shumë mirë se Ju i takoni atij brezi që vetëdijen kombëtare e kishin parësore ndaj çdo faktori tjetër: politik, shtetëror, fetar, rajonal, kulturor, jemi plot bindje se institucionet që janë të ngarkuara me çështjet primare të botës shqiptare dhe bashkëpunimi ynë i ndërsjelltë do të kenë praninë e ndikimit Tuaj pozitiv”.

Kreu i shtetit të Kosovës, falënderoi të gjithë për nderimin e veçantë që i bëhet në Shqipëri.

Në motivacionin e dhënies së mirënjohjes “Nderi i Akademisë” për Presidentin Thaçi ndër të tjera thuhet :”Figurë me rëndësi vendimtare në mbrojtje të njësisë së identitetit kombëtar, gjuhës dhe vlerave themelore shqiptare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat