Ligji i plotë/ Miratohet amnistia, lirohen të dënuarit deri në 3 vite burg

Shqipëria

Ligji i plotë/ Miratohet amnistia, lirohen të dënuarit deri në 3 vite burg

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 08:16
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani

Të gjithë zyrtarët apo ish-zyrtarët që janë në hetim apo janë dënuar nga gjykatat, nuk do të përfitojnë nga projektligji i “amnistisë”, që do të miratojë Kuvendi më datë 22 dhjetor. Këtë nen të posaçëm, që përjashton në mënyrë të qartë të gjithë funksionarët e shtetit, është kujdesur ta saktësojë me amendament të veçantë Grupi Parlamentar i LSI-së.

Ky propozim i kryetarit të Grupit të LSI-së, Petrit Vasili, u miratua me konsensus në Komisionin e Ligjeve. “Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat, të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” i ndryshuar.

Personat funksionarë publikë, të cilët ndiqen penalisht për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga datat e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 25.12.2016, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen ndjekjes penale, duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht parashikimeve të këtij neni”, thuhet në amendamentin e ri të futur në ligjin e amnistisë, nen i cili nuk ishte në draftin e parë të qeverisë.

KUSH PËRFITON

Nga projektligji i “amnistisë” do të përfitojnë të gjithë qytetarët e burgosur apo që janë në proces gjyqësor për veprat penale të vjedhjes së energjisë dhe veprën penale të “ndërtimit pa leje”.

Edhe personat që janë arrestuar, apo është dhënë dënim i formës që prerë deri më datë 25 dhjetor të këtij viti, do të përfitojnë nga amnistia. Kurse ata që janë në proces gjykimi, akuzat ndaj tyre pushohen në gjendjen që janë. Po ashtu, dje Partia Socialiste rriti edhe vitet e përfitimit nga amnistia. Në variantin e parë, qeveria kishte parashikuar si përfitues të amnistisë të gjithë personat e dënuar me vendim të formë së prerë për dënime të buta deri në 2 vite.

Ndërkohë që dje, deputeti i PS-së, Ulsi Manja, propozoi që dënimi të ishte deri në tri vite. “Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 25 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet”, thuhet në nenin e ri të formuluar nga PS.

NDRYSHIMET NE LIGJ

NENI 3 KRITERET PËR PËRFITIMIN E AMNISTISË 1. Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 25 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

3. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç.

4. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

5. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, pavarësisht nga ndalimet e nenit 4 të këtij ligji, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 87, në paragrafin e dytë, të nenit 88, në nenet 100, 101, 103, 104, 107/a, 108, 109, 110/a, 139, 140, 141, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283/a, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal.

6. Nuk përfitojnë nga kjo pikë përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

NENI 5 AMNISTIA E DËNIMIT TË MBETUR 1. Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 të këtij ligji, pavarësisht nga kriteret ndaluese të nenit 4, lirohen nëse u kanë mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë:

a) 2 vjet për të dënuarat gra apo personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur;

b) 1 vit për personat e dënuar burra.

2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat, të cilët i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dënimit, si dhe përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

NENI 6, KUSHTET PËR DHËNIEN E AMNISTISË NGA NDJEKJA PENALE 1. Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 25.12.2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga paragrafi i parë i nenit 124/b, paragrafi i parë i nenit 130/a, paragrafi parë i nenit 235, paragrafi i parë i nenit 236, nenet 237, 238, 242, 243, paragrafi i parë i nenit 246, nenit 246/a, paragrafi parë i nenit 247, të Kodit Penal.

2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor nga autoriteti publik i ushtrimit të ndjekjes penale deri në datën 25.12.2016.

3. Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat, të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe që janë subjekt i ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” i ndryshuar. Personat funksionarë publikë, të cilët ndiqen penalisht për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga datat e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 25.12.2016, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen ndjekjes penale, duke u hetuar dhe gjykuar, pavarësisht parashikimeve të këtij neni.

KUSH NUK PËRFITON NGA AMNISTIA NENI 4 KRITERI NDALUES PËR PËRFITIMIN E AMNISTISË 1. Pavarësisht nga parashikimet e nenit 3, nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83/a, 83/b e 84/a, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;

c) vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a e 99, të Kodit Penal;

ç) krime seksuale. dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 124/b, në nenet 128/a,128/b, 129 e 130/a, të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike.

f) vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë.

g) vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve.

gj) vepra penale kundër mjedisit.

h)krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues.

i) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera

j) vepra me qëllime terroriste.

k) krime kundër autoritetit të shtetit.

l) vepra penale kundër drejtësisë.

ll) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

m) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

2. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 25.12.2016.

3. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat